Shkup, 19 prill – Porositë të cilat dy ditët e kaluara i mori Maqedonia nga përfaqësuesit e lartë të KE-së Johanes Han dhe Federika Mogerini, si dhe Raporti jashtëzakonisht pozitiv për përparimin e Maqedonisë, janë sinjal i qartë se shteti po lëviz në drejtimin e duhur, deklaroi sot koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së Tomisllav Tuntev.
Në deklaratën pas paraqitjes së Mogerinit ai potencoi se inkurajimi, rekomandimi pozitiv dhe i pakushtëzuar janë motiv shtesë për vazhdimin e reformave.
“Rekomandimi për anëtarësim në BE është njohje për punën e bërë deri më tani, por edhe tregues për proceset e ardhshme reformuese të cilat na presin, ndërsa na pret edhe shumë punë”, tha Tuntev.
Në drejtim të përforcimit të rolit të Kuvendit, në iniciativë të deputetëve të LSDM-së duke filluar që nga seanca e ardhshme për pyetjet e deputetëve më 26 prill kryeministri dhe ministrat gjatë kohës së pauzës do të jenë në dispozicion të të gjithë deputetëve, përfshirë edhe ata të opozitës që në një komunikim joformal dhe direkt të informohen për të gjitha çështjet në interes të tyre, për probleme të rretheve prej nga vijnë, por edhe të alarmojnë për ndonjë problem të caktuar.
Kryeministri Zoran Zaev do të marrë pjesë edhe në seancat e Këshillit kombëtar për eurointegrime, në Komisionin për çështje evropiane që duhet të mbahet javën e ardhshme, ku direkt do t’i informojë deputetët për Raportin e KE-së, por edhe për proceset që vijojnë.
I pyetur për vërejtjet nga raporti, Tuntev thotë se ligjet duhet të implementohen.
“Në këtë drejtim i kuptuam edhe porositë e Hanit dhe Mogerinit. Edhe Qeveria, por edhe ne si pjesë e pushtetit ligjvënës jemi të vetëdijshëm se ligje pa implementim të tyre të plotë janë “fjalë boshe në letër”, deklaroi Tuntev.
Për atë se si do ta kontrollojnë Qeverinë, Tuntev tha se të gjitha proceset, përfshirë edhe “Zhan Mone” në Ohër dhe bashkëpunimi me ekspertët e huaj në pjesën e ndryshimeve dhe plotësimeve të Rregullores dhe marrëveshjeve të ndërsjella të partive më të mëdha, e gjithë kjo është në funksion të përforcimit të rolit ligjvënës, para së gjithash të rolit kontrollues, mbikëqyrës dhe përfaqësues të Kuvendit. Debatin e parë mbikëqyrës në këtë përbërje parlamentare, Tuntev e paralajmëroi për muajin e ardhshëm ndërsa do të jetë për mbrojtje të Liqenit dhe rajonit të Ohrit.
Në takimin me Han mbrëmë, si një nga vërejtjet më serioze ishte parashtruar pyetja për sjelljen e ligjeve në procedurë të shkurtër dhe në këtë mënyrë pamundësinë e Kuvendit që ta ketë rolin kontrollues gjegjësisht mbikëqyrës.
“Do të shihni në periudhën e ardhshme në pajtueshmëri me dinamikën të cilën e vendosëm, nëse i numëroni ligjet të cilat miratohen në procedurë të rregullt do të shihni se e tejkalojnë numrin që nga fillimi”, tha Tuntev.