Tuma në Himarë pasuron hartën arkeologjike të Shqipërisë

44

Një ledh me gurë dhe disa varre brenda saj me dheun e sapohequr rezultojnë të jenë gjetjet e para të një zbulimi të madh në bregdetin shqiptar në jug. Një varrezë tumulare e periudhës së bronzit të vonë është fryti i zbulimeve të arkeologëve vlonjatë.

Lajmin e ka bërë të ditur të hënën gjatë ditës gazetari Aleksandër Çipa, sipas të cilit tuma është evidencuar në Himarë. “Nga një gërmim arkeologjik shpëtimi i realizuar së fundi në Himarë, nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore të Vlorës dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore është zbuluar një varrezë tumulare e periudhës së bronzit të vonë (shek. XV-XII p.Kr)”, ka shkruar Çipa në faqen e tij në Facebook. “Sipas arkeologëve, zbulimi është i një rëndësie të veçantë pasi është i pari sit arkeologjik i këtij lloji që zbulohet në bregdetin e Himarës, duke ia shtuar hartës arkeologjike të Shqipërisë edhe një zonë tjetër me varreza tumulare. Ky është pa dyshim zbulimi i parë dhe kaq i rëndësishëm pas disa shekujsh në tokën shqiptare në bregdetin jugor”.

Derisa ende nuk është dhënë ndonjë prononcim zyrtar nga ana e institucioneve shqiptare të arkeologjisë, lajmi është publikuar edhe në disa faqe në Facebook me përmbajtje arkeologjike.

Në një përgjigje ndaj një komentuesi, gazetari Çupi ka bërë me dije se kjo varrezë tumulare ndodhet në vendin e quajtur Ndrehora, pranë unazës së re të Himarës, përkatësisht mes kalasë dhe Lagjes së Shën Mëhillit.

Ndërkohë, historiani vlonjat Odise Çaçi ka tërhequr vërejtjen për pasurinë arkeologjike të zonës. Duke përkujtuar për amforat, pitosët, monedhat, veglat e punës e portikët e mermertë të zbuluar, ai ka sugjeruar që firmat ndërtimore të kenë në stafin e tyre edhe ndonjë arkeolog.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.

Comments are closed.