Padyshim është uji, jo vetëm gjatë ushtrimeve po gjatë gjithë kohës, ju do pyesni pse? Sepse ujë e mban trupin tonë të hidratuar, na ndihmon që nga trupi t’i nxjerrim produktet e panevojshme të metabolizmit të yndyrës, po ashtu uji na ndihmon për mos lodhje gjatë ushtrimeve, mos marramendje dhe mos ngërç në muskuj…
Bisedoi: Blerand REXHEPI
Nëse vizitoni profilet e tij në rrjetet sociale keni për të mësuar shumë se si të mbahet një trup i shëndoshë dhe në super formë. Tuki Ahmeti ka disa vite që punon si trajner fitnesi duke u bërë kështu si një prej më të suksesshmëve me të cilët bashkëpunojnë shumë personazhe të njohur të cilëve në fillim ju duhen këshilla dhe rekomandime. Po si të mbajmë trupin në formë dhe të shëndetshëm, cilat janë gabimet që nuk duhet bërë në fillim kur nisim ushtrimet, këto e shumë gjëra tjera na i tregon ai vet në një bisedë realizuar për InfraRed të gazetës KOHA.
KOHA: Ushtrimet fizike janë të ndara në dy grupe: me peshë të trupit dhe me peshëngritje, cila nga këto është më efektive?
Mendoj që të dyja kanë rëndësinë e vet, kur është fjala për një trup më të bukur, më muskulorë apo masiv atëherë zgjidhja ideale është ushtrimet me pesha (tega). Për shkak që muskujt duhet të sfidohen me peshë më të lartë se pesha e trupit, ndërsa tek ushtrimet me peshën e trupit, është më efektive për të fituar forcën në të gjithë muskujt e trupit ngaqë je shumë më i angazhuar apo i ke gjithë muskujt e trupit në funksion.
KOHA: Muskujt e barkut ndërtohen në kuzhinë e jo në palestër, a mund të na tregoni si trajner fitnesi profesionist, sa e vërtetë është kjo thënie?
Çdo linjë e bukur trupore duhet të ketë edhe disiplinë në ushqim për atë edhe thuhet që ushtrimet fizike janë më të kushtueshme për shkak se do regjim në ushqim për arritje. Unë mendoj që këto të dyja janë shumë të ndërlidhura mes vete, sepse kuzhina ndihmon apo nxjerr në pah muskujt në përgjithësi, por ama për t’i formësuar muskujt e barkut atëherë do përkushtim maksimal në fitnes.
KOHA: Shkojmë drejt stinës së verës, ndërsa po rritet dhe dëshira për të ndërtuar një trup të bukur dhe me muskuj brenda kësaj periudhe të shkurtër, a është e mundur për fillestarët?
Mendoj që si fillestarë është e rëndësishme t’i mësojë teknikat, apo mënyrën e saktë të ekzekutimit të ushtrimeve. Pastaj duhet bërë përgatitja e muskujve pra ushtruesi duhet që t’i ushtrojë për 2-3 javë të gjitha muskujt e trupit siç e quajmë ne (përzierje) pas kësaj vijnë grupet e muskujve apo (ndarja e ushtrimeve) dhe e gjitha kjo apo faza fillestare zgjat 3 muaj, që ushtruesi të fitojë rritjen e forcës dhe forcimin e ligamenteve. Pra që të kemi një trup me formë atëherë nuk mjaftojnë 3 apo 4 muaj.
KOHA: Çfarë ushtrimesh apo ushqimesh do t’u këshillonit personave të cilët duan trup të definuar?
Për trup të definuar është e qartë që duhet t’i kushtoni shumë vëmendje se si po ushqeheni, të kujdesemi për të mos ngrënë ushqime me shumë kalori, por mos eliminimin e karbohidrateve të përbëra, apo proteinave të pastërta. Po ashtu të konsumohet 3 deri 4 litra ujë në ditë. Gjatë ushtrimeve është shumë e rëndësishme të bëhet zbritja e peshave dhe rritja e serive po ashtu të zvogëlohet pushimi mes serive, shtimi i lëvizjeve 13-16 për secilën seri dhe të mos i shmangeni ushtrimeve kardio.
KOHA: Cila është më e preferueshme gjatë ushtrimeve fizike: uji apo lëngjet e ndryshme?
Padyshim është uji, jo vetëm gjatë ushtrimeve po gjatë gjithë kohës, ju do pyesni pse? Sepse ujë e mban trupin tonë të hidratuar, na ndihmon që nga trupi t’i nxjerrim produktet e panevojshme të metabolizmit të yndyrës, po ashtu uji na ndihmon për mos lodhje gjatë ushtrimeve, mos marramendje dhe mos ngërç në muskuj.
KOHA: Duke marrë parasysh se jeni shumë aktiv edhe online dhe të hapur për personat të cilët kërkojnë këshilla rreth kësaj fushe, sipas eksperiencës me këta persona, a mund të na tregoni cili është gabimi më i shpeshtë që bëhet nga fillestarët?
KOHA: Ehhh, dua të flas për gabimet e dy gjinive. Femrat kur hynë në palestër ato drejtohen direkt tek pajisjet kardio që është një gabim i madh, sepse nuk mund të marrim një formë të bukur apo muskuj të fortë duke bërë vetëm kardio ushtrime. Ndërsa tek meshkujt ndodh e kundërta, ata drejtohen te ushtrimet me pesha, unë mendoj që edhe ky është një gabim sepse duhet të bëjmë edhe ushtrime kardio në mënyre që të heqim një pjesë të yndyrës që t’i nxjerrim në pah muskujt.