Trajneri i PSG, Thomas Tuchel, festoi titullin kampion në sezonin e tij të parë në krye të gjigantëve parizienë, ndërsa për Champions-in e pati një justifikim. Ai iu referua pritjes së Juventusit prej vitit 1996 në këtë kompeticion: “Nëse fitojmë Kupën e Francës, sezoni do të jetë i suksesshëm. Ecuria në kampionat tregon se kemi punuar shumë. Liga e Kampioneve është një zhgënjim, por edhe Juventusi ka kohë që pret në këtë garë. Qëllimi ishte të fitonim të paktën dy trofe në këtë sezon dhe kjo është arritur”.
Neymar u kthye nga dëmtimi në këmbë dhe luajti kundër Monaco. Edhe Cavani u aktivizua në pjesën e dytë. Lidhur me një lëvizje nga PSG, uruguajani këmbënguli: “Unë kam kontratë këtu edhe një vit tjetër. Jam mirë te PSG, i qetë dhe shumë i lumtur me skuadrën, si edhe me tifozët. Megjithatë, kurrë nuk e dini se çfarë mund të ndodhë në futboll”.