Dje në Likovë, kandidati i Lëvizjes BESA për kryetar komune, Shaban Zendeli, së bashku me këshilltarët komunal, kanë realizuar tubimin qendror me banorët e këtyre zonave. Zendeli ndër të tjera në takimin me qytetarët tha: “Në mandatin tonë të ardhshëm në Komunën e Likovës do të sigurohet ujë i pijshëm nga penda e Likovës për të gjithë banorët e kësaj komune. Ne si Lëvizje BESA do të kemi një qasje të barabartë ndaj të gjithë afaristëve, andaj do të përpiqemi që në fillim të formojmë një shërbim këshillues me ekspertë të fushave të ndryshme për t’i dhënë ndihmë dhe këshilla biznesmenëve dhe fermerëve”.
Fjalë rasti kishte edhe kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami. “Me Shaban Zendelin dhe ekipin e tij do ta realizojmë për katër vite atë të cilën nuk arritën ta bëjnë për 25 vite dhe këto nuk janë vetëm fjalë, për këtë ju e dini se bashkë me Shabanin dhe të tjerët udhëtova deri në Slloveni dhe do të udhëtojmë në çdo qendër evropianë dhe do të trokasin në çdo derë të miqve tanë të cilët i kemi të shumtë dhe do të kërkojmë përkrahjen e tyre që edhe Likova të jetë një vend i mirë ku mund të jetohet me dinjitet”,- deklaroi Kasami.