Mbesa ime,
Të shkruaj letër në orët e para pas lindjes tënde, para Kërshëndellave, në prag të Vitit të Ri, në ditët e shkurtëra të dimrit, në ditët më të shkurta të vitit, kur dielli ndalet në habi, thuajse bie në humnerë, para se papritur prapë të vendosë të ngrejë kokën dhe të dalë sipër, si një hyjni e përditësuar e dritës.
Të përshëndes me gëzim në zemër dhe shpejtoj të të them se bota rilindë me çdo foshnje të porsalindur!
E gjithë bota tani të takon ty dhe çdo gjë në të!
Tuajat janë edhe toka edhe njerëzit edhe kafshët edhe bimët,
Edhe deti edhe peshqit
Edhe qielli edhe zogjtë
Tuajat janë edhe dielli edhe yjet
E jotja është edhe hëna
Çdo gjë është jotja!
Tuajat janë katër anët e botës
Edhe lindja edhe perëndimi
edhe veriu edhe veriperëndimi
E posaçërisht jugu
Dhe mos të të marrë malli për jugun, por ti vet të jesh jugu,
Dhe mbaje me vete kudo që të jesh,
Tuajat janë edhe Ohri edhe Struga
Londra e Carigradi
Edhe Maçu Piçu edhe Muri kinez
Edhe qyteti i Vardarit
Edhe Debar Maalo
Tuajat janë edhe Kaneo edhe Nerezi edhe Matka
Edhe ikonat edhe engjëlli i Kurbinovës
Tuajat janë Bitëlls edhe Stouns edhe Erik Sati
edhe kompozimet e Bahut për violonçel
Tuajat janë operat e Moxartit
Çdo gjë është e jotja!
Edhe kënga e vrazhdë dhe e thjeshtë maqedonase
e paraardhësve të tu të dijshëm dhe të padijshëm
Qëndisja dibrane e Alltanës dhe guri murator i Strezos
Edhe ata janë tuajat
Edhe shfaqjet të cilave u ka bërë regjinë stërgjyshi yt Mirko
Edhe rolet në të cilat ka luajtur stërgjyshja jote Nada
E jotja është edhe magjia e xhaxhait tënd Vllatko, edhe elektrike edhe akustike
Çdo gjë është e jotja!
Çdo gjë të është dhënë në disponim
Tuajat janë dramat e mia
Që të më thuash një ditë o bre gjysh, problemet për të cilat ti ke shkruar tash më janë të zgjidhura, me dorë të mënjanuara, çështjet maqedonase janë bërë përgjigje maqedonase me pikëçuditëse, bota tani është e çuditshme!
E jotja është edhe alfabeti i Kirilit dhe Metodit
Edhe cirilica e Klimentit dhe Naumit
E jotja është gjuha maqedonase
E Bllazhe Koneskit
Edhe e gjithë letërsia maqedonase
Edhe alfabeti i shkapërderdhur
Tuajat janë edhe të gjitha gjuhët tjera
Edhe anglishtja e Shekspirit edhe shqipja e Frashërit edhe
serbishtja e Nushiqit edhe greqishtja e Homerit dhe bullgarishtja e Vazovit
Që të njohësh dhe të ndihesh nga brenda
Që të mund të përshëndesësh fqinjët sipas gjuhës së tyre, siç e do rendi
Tuajat janë Tarkovski edhe Felini edhe Rublovi edhe Amarkordi
Edhe Çehovi edhe Beketi
I yti është madje Marko Cepenkov
Tuajat janë “Siljan Shtrkot” dhe të gjitha treqind zanat
E jotja është që një ditë të më pyesësh e pse ju kanë dashur Aj-Padi e Aj-podi dhe Aj-foni e Aj-maku
pas gjithë asaj telepatie?
Edhe pse ju ka munduar aq katrori i rrethit,
Kështu zgjidhjen e kemi mësuar në klasën e parë!
Tuajat janë edhe recetat për revani dhe çomlek
Edhe trofta me majdanoz
Edhe fasulja pa yndyrë me nane
Edhe kripa e specit
Edhe domatja natyrale edhe dardha
Çdo gjë është e jotja
edhe e juaja
E tërë gjeneratës tënde
Çdo gjë e ke afër
Të gjitha dobitë
E demokracisë
Të drejtave të njeriut
Të gjitha gjerësitë, lartësitë dhe thellësitë
Edhe Nepalin edhe Katmandunë edhe Actekët
edhe Majët të cilët të bënë të publikosh se ky nuk është fundi i botës së vjetër
por fillimi i botës së re
I yti është dhe mendimi i mirë
Dhe të gjitha mirësitë
Që të ngjajnë dhe të përfytyrojnë
Dhe të mos shpëtosh nga ato
E jotja është flaka e nënës tënde Pllamena
Edhe krenaria e babait tënd Igorit
Edhe rrugëtimi i gjyshes tënde Patrisha
Edhe largpamësia e hallës tënde Jana
Tuajat janë të gjitha pllakat, singlet dhe llongplejet e mia
në vinil kaseta dhe CD dhe DVD
Të gjitha librat e mia tani janë tuajat
çdo gjë që kam grumbulluar me frikë se dikush do të mi marrë
Ti do të udhëtosh pa dyshimin se do të ikë treni
Do të jetosh me buzëqeshje, në një botë tjetër
pa diskriminim dhe ndarje
pa vëllavrasje
botë të lumtur, të shkëlqyer dhe të lartësuar
Do të kujtohesh për të gjithë ata që kanë kaluar para teje
do të shohësh fytyrat e tyre dhe do të dëgjosh zërat e tyre,
do të kuptosh se mundimet e tyre kanë sjellë deri te lumturia jote,
Dhe do t’i përmendësh për të mirë dhe qo t’i bekosh
Dhe do t’ua transmetosh nipërve dhe mbesave tua
për çështjen maqedonase, për atë se çka kemi bërë,
e çka kemi prishur kur kemi humbur mendjen,
E do të na mësosh çka të bëjmë paraprakisht
nëse dikush thotë, këtu ka humnerë
Ti u thua, atje ka një urë!
Nëse gjendesh para kodrave të larta
Ti bëhu skifter, fluturo mbi to!
Nëse gjendesh para lumenjve të thellë
Bëhu peshk mrena, notoi ato!
Kalo Kalinë, vajzushe
Ngriti Kalo, sytë e zezë
Ngrit, lartë
Lartë, anembanë
E jotja është e gjithë bota!
Të kesh zemër
Zemër të zemrës së zemrave
të mblidhet e gjithë bota për këtë vogëlushe
Mondana të ka edhe ty parasysh, gjithashtu,
në atë bekim, në borën e Malit të Pirinit
E bre njerëz, na ka lindur foshnje në mesin tonë.
Hajde të më jesh një foshnje e shëndoshë dhe me shëndet, të rritesh e madhe, me fytyrë të bardhë e faqe të kuqe si molla e Tetovës, e fuqishme alla Pirin, fyti të nxjerrtë margaritarë, zërin ta kesh si kanarinë.
Dhe një ditë kur të shikosh nga qielli i kaltër dhe të dëgjosh bilbilin,
na përmend neve.
Përmend mesin në të cilin ke lindur.
Ai mes lufton për lirinë tënde
Emri im tash është i yti!
Shtëpia ime tash është e jotja, gjaku im tani je ti
Do të të mbroj dhe të mbrohesh
të ruhesh dhe të shpëtosh!
Përkulem para teje
Mbesa ime
Edhe para vlerave të çuditshme të jetës që të paraprinë!