Policia është vënë në kërkim të biznesmenit Seat Koçan, i akuzuar nga Prokuroria Speciale në rastin “Trust”. Alsat M mëson jozyrtarisht se afaristi dhe pronari i ndërmarrjes Transmet dhe televizionit Nova ka braktisur shtetin dhe ndodhet në arrati. Ministria e Brendshme ka marrë vendim nga gjykata dhe do të veprojnë sipas vendimit që Seat Koçan të dërgohet në paraburgim. Avokati i tij, nga ana tjetër, sot tha se për vendimin për paraburgimin e klientit të tij e ka mësuar nga mediat.
“Mbrojtjes dhe të akuzuarit duhet doemos së pari t’u dorëzohet vendimi. Përderisa nuk u dorëzohet vendimi të akuzuarit dhe avokatit, Seat Koçan është qytetar i lirë i këtij shteti dhe mund t’i ushtrojë të gjitha aktivitetet e tij”, deklaroi avokat mbrojtës Nikola Dodevski.
Prokurorja speciale Katica Janeva konsideron se paraburgimi për Seat Koçan, do t’i ndihmojë hetimit në rastin “Trust”.
“U informuam nga gjykatësja se do të dorëzohet sot. Nuk ishte dorëzuar para se të vijmë këtu në gjykatë”, tha prokurorja speciale Katica Janeva.
Ndërmarrjet “Transmet”, “Sileks Nemetali” dhe “Bato”, Prokuroria Publike do t’i dyshojë se me dokumentacion të rremë kanë fituar tenderin për gërmim në Tecin e Manastirit dhe kanë arkëtuar mbi 17 milion euro nga buxheti i shtetit. Përveç paraburgimit, për Koçanin i cili ka qenë drejtor i “Transmet” në vitin 2011 kur e ka formuar konsorciumin, masa të kujdesit janë shqiptuar edhe për nënshkruesin e autorizuar në “Sileks Nemetali”, Vasilije Aviroviq.
Ndërkohë Prokurorja speciale Katica Janeva, thekson se është njoftuar nga gjyqi për vendimin, por se të njëjtin akoma nuk e ka parë.