Të enjten në mesditë, është gjetur një trup i pajetë i një personi, i moshës ndërmjet 35 dhe 40 vjet. Sipas policisë, rreth orës 12 e 30 minuta, 48 vjeçari Q.I nga fshati Strimnicë, ka denoncuar se përgjatë rrugës lokale Strimnicë – Zhelinë në vendin e quajtur “Ledina”, është gjetur një trup i pajetë i një burri ende të paidentifikuar, i cili dyshohet të jetë i moshës 35 deri në 40 vjet, shkruan gazeta KOHA. Prokurori publik dhe ekipet e Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë si dhe mjeku i mjekësisë ligjore, kanë kryer hetim të plotë dhe gjatë analizave nuk janë hasur shenja të dhunës. Megjithatë, burime jozyrtare policore thonë për KOHA se dyshohet të bëhet fjalë për personin B.I nga Shkupi, i cili që para tre javësh është evidentuar si i zhdukur, edhe pse pista kryesore e hetimit është rrëmbimi i mundshëm i tij nga persona ende të panjohur për policinë. Me urdhër të prokurorit publik, tashmë po kryhet obduksioni dhe identifikimi i personit të vdekur. (koha.mk)