Tiranë, 7 nëntor – Trupi i pajetë i Konstantinos Kacifa, i ekstremistit grek të vrarë në Bularat pas një shkëmbim zjarri me forcat RENEA, është kthyer në Gjirokastër tek familja e tij.
Trupi i 35-vjeçarit Kacifa, i cili kishte edhe shtetësi greke, është tërhequr mbrëmë vonë nga morgu i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ku edhe ndodhej prej 11 ditësh dhe ku është bërë ekspertizë e plotë pas kërkesave të prindërve të tij, të cilët nuk besonin në konstatimet e autopsisë së kryer në spitalin në Gjirokastër.
Funerali për të do të mbahet nesër në Bularat.
Në varrim pritet të marrin pjesë më shumë mijëra persona, pjesëtarë të pakicës greke në Shqipëri, të cilët jetojnë kryesisht në jug të vendit, por është paralajmëruar edhe ardhja e më shumë grekëve nga Greqia.
Kryepeshkopi i kishës ortodokse autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos, dërgoi mesazh që varrimi i Kacifas të bëhet me dinjitet sipas traditave fetare.
“U lutemi të gjitha palëve që trupi i Konstandinos Kacifas të jepet për t’u varrosur sipas traditës fetare. Të gjithë shpirtrat le të gjejnë paqen. Zhurma e papërgjegjshme le të ndalet dhe ngjarjet të shqyrtohen në vazhdim me objektivitet dhe respekt të ndërsjellë”, u shpreh Kryepeshkopi, Anastas Janullatos.
Mesazhi pason pas paralajmërimeve se varrimi mund të shndërrohet në protestë. Për arsye sigurie pritet masa përkatëse të ndërmarrë edhe policia shqiptare.
Vrasja e Kacifas shkaktoi tensione në marrëdhëniet greko-shqiptare, dhe zëvendësministri grek i Punëve të Jashtme u kanos se edhe negociatat midis dy vendeve të cilat udhëhiqen për më shumë çështje do të varen prej hetimit rreth ngjarjes në Bularat.
Me kërkesë të palës greke, për shkak të faktit që i vrari është shtetas i Shqipërisë, në Tiranë ka ardhur edhe një delegacion i Ministrisë së Punëve të Brendshme i Greqisë, me qëllim që të njoftohet me rrethanat në të cilat ka ndodhur vrasja, ndërsa paraprakisht edhe një ekspert i policisë.