Presidenti Donald Trump tha se SHBA do të fillojnë të ndërpresin ose të pakësojnë ndjeshëm ndihmat për Guatemalën, Hondurasin dhe El Salvadorin, pasi këto vende nuk ishin në gjendje të ndalonin emigrantët të largoheshin nga vendi për të hyrë “në mënyrë të paligjshme” në SHBA.
Mijëra emigrantë, shumica nga Hondurasi, janë grumbulluar në kufirin e Guatemalës me Meksikën, me shpresën për të kaluar nga territori meksikan drejt Shteteve të Bashkuara. Por shumë prej tyre janë kthyer në Honduras, pasi janë përballur me vështirësi gjatë rrugës, ose në kufirin meksikan. Megjithatë, një pjesë e tyre janë të vendosur të hyjnë në Amerikë, pa marrë parasysh koston:
Autoritetet meksikane javën e kaluar e bllokuan karvanin e emigrantëve në një urë në kufirin mes Meksikës dhe Guatemalës, por më vonë shumë prej tyre e kaluan me not, ose me traget lumin Sushiate, për të vazhduar më tej rrugën drejt veriut. Presidenti Trump lavdëroi Meksikën për bllokimin e imigrantëve: “Dua të falënderoj Meksikën për këtë veprim të shkëlqyer. Tani ajo po e respekton udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara”
Trump i ka bërë emigrantët çështje politike të fushatës së zgjedhjeve të 6 nëntorit për Kongresin. Ai kërcënoi se do t’i presë ndihmat rajonale dhe se do ta mbyllë kufirin SHBA-Meksikë, nëse Meksika nuk i ndalon emigrantët.