Teksa kanë mbetur vetëm edhe 13 ditë deri në përfundimin e mandatit të tij zyrtar, zëvendëspresidentit Mike Pence i janë adresuar thirrjet për ta aktivizuar Amendamentin 25 të Kushtetutës për largimin e Trumpit, ose në të kundërtën punën në duar do ta marrë Kongresi. Nuk dihet nëse Kongresi do të ketë kohë për t’i iniciuar procedurat e shkarkimit para përfundimit të mandatit, por nëse kjo ndodh dhe Trumpi shkarkohet edhe pas datës, atëherë do të mund të pamundësohej kandidimi i republikanit për zgjedhjet e ardhshme
Washington, 7 dhjetor (Reuters) – Presidenti amerikan, Donald Trump, është përballur me thirrjet e shtuara për largim dhe me eksodin e pjesëtarëve të stafit gjatë së enjtes, një ditë pasi që turma të mbështetësve të tij e bastisën dhe e vandalizuan ndërtesën e Kongresit në sulmin më të pashembullt ndaj demokracisë amerikane.
Teksa kanë mbetur vetëm edhe 13 ditë deri në përfundimin e mandatit të tij zyrtar, përfaqësuesit më të lartë të demokratëve në Senat dhe një kongresist republikan u kanë prirë kërkesave për shkarkim.
Pjesëtarët e kabinetit të Trumpit dhe aleatët e presidentit amerikan kanë filluar diskutimet lidhur me aktivizimin e dispozitës kushtetuese për largimin e tij nga zyra, ka bërë të ditur një zyrtar i afërt me situatën.
Ndërkohë, një numër përherë më i madh i këshilltarëve të Shtëpisë së Bardhë kanë paralajmëruar dorëheqjet e tyre, përfshirë në këtë mes të dërguarin Mick Mulvany, ish-shef i stafit të Trumpit, si dhe këshilltari kryesor për çështjet e Rusisë, Ryan Tully. Sekretarja e tij e Transportit, Elaine Chao, e cila është e martuar me republikanin më të lartë në Senat, Mitch McConnell, ka thënë se do të japë dorëheqje, duke përmendur si arsyetim dhunën. Pritet, ndërkaq, që së shpejti të ketë edhe dorëheqje të tjera nga radhët e Trumpit.
Largim me anë të Amendamentit 25 apo shkarkim nga Kongresi
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, dhe lideri demokrat në Senat, Chuck Schumer, i kërkuan zëvendëspresidentit Mike Pence që ta largojë Trumpin nga detyra nëpërmjet aktivizimit të Amendamentit 25 të Kushtetutës, i cili ua lejon pjesëtarëve të kabinetit largimin nga detyra të një presidenti që konsiderohet si i paaftë për mbajtjen e postit.
Po qe se Pence nuk pranon, atëherë ajo ka paralajmëruar se Kongresi do ta marrë punën në duart e veta.Mirëpo, me veprimin e munguar nga kabineti, nuk është e qartë nëse Kongresi – i cili aktualisht ka pushuar punimet – do të ketë kohë për t’i iniciuar procedurat e shkarkimit para përfundimit të mandatit të Trumpit. Megjithëkëtë, nëse procesi prapëseprapë ndërmerret dhe Trumpi shkarkohet edhe pas datës, kjo do t’ia pamundësonte republikanit kandidimin për zgjedhjet e ardhshme presidenciale pas katër vjetësh.
Duke folur para gazetarëve në Capitol, Pelosi e ka akuzuar Trumpin për nxitjen e “një kryengritjeje të armatosur kundër Amerikës”, teksa vet presidentin e quajti “vdekjeprurës” për amerikanët dhe për vetë demokracinë e SHBA-së.
Së paku një republikan dhe 19 demokratë nga Dhoma e Përfaqësuesve kanë kërkuar inicimin e një mase të tillë.
“Ajo që ka ndodhur në ndërtesën e Capitolit dje ishte një kryengritje ndaj Shteteve të Bashkuara, e nxitur drejtpërsëdrejti nga presidenti”, ka thënë Schumer në një deklaratë. “Ky president nuk do të duhej ta mbante postin as edhe një ditë më gjatë”.
“Nëse nënpresidenti dhe kabineti refuzojnë, atëherë Kongresi duhet të mblidhet për ta shkarkuar presidentin”, ka shtuar ai.
Dhoma e Përfaqësuesve kishte shkarkuar Trumpin në dhjetorin e 2019-s lidhur me akuzat për abuzim me pushtetin dhe pengimin e punimeve të Kongresit, pasi u zbulua se presidenti kishte ushtruar presion ndaj Ukrainës për ta hetuar Bidenin, por Senati i udhëhequr nga republikanët kishte votuar në shkurt të 2020-s për ta mbajtur atë në detyrë.
Përfaqësuesi republikan, Adam Kinzinger, ka bërë thirrje për aktivizimin e Amendamentit të 25-të për largimin e Trumpit.
“Të gjitha indikacionet tregojnë se ky president është shkëputur tërësisht jo vetëm nga obligimi apo madje betimi i tij, por edhe nga vetë realiteti”, ka thënë Kinzinger nëpërmjet një videoje të postuar në Twitter.
Një burim i informuar me rrethanat ka thënë se iniciativa me dispozitën kushtetuese nuk ka gjasa që të shpjerë gjëkundi. Shumica e republikanëve në Kongres kanë treguar interesim të paktë për të ushtruar presion mbi kabinetin për veprim në këtë drejtim.
Trumpi është zotuar gjatë orëve të hershme të së enjtes për një “transicion të rregullt” para inaugurimit të Bidenit president më 20 janar, në një veprim që synim kishte parandalimin e largimit të pjesëtarëve të stafit nga Kabineti i tij. Megjithëkëtë, Trumpi ka vazhduar të përsërisë rrejshëm se zgjedhjet i janë vjedhur. Ai e dënoi gjithashtu dhunën e pashembullt që ndodhi, pasi që ai vetë i trimëroi mbështetësit gjatë së mërkurës që të marshojnë drejt Capitolit, përkundër kërkesave të zyrtarëve të lartë të administratës për të mos e bërë një gjë të tillë.
Bideni: Dhunën e “terroristëve të brendshëm” e nxiti Trumpi
Presidenti i zgjedhur, Joe Biden, ka akuzuar Donald Trumpin për nxitjen e dhunës në Capitol, duke e quajtur të mërkurën ditën më të errët në historinë e vendit, ndërsa ngjarjet si sulm ndaj demokracisë.
Duke folur nga Wilmingtoni në Delaware, me ç’rast i prezantoi të nominuarit e tij për postet në Departamentin e ardhshëm të Drejtësisë, Bideni i quajti mbështetësit e Trumpit që sulmuan Capitolin si “terroristë të brendshëm”.
“Mos guxoni t’i thërrisni protestues. Ata janë banda, kryengritës, terroristë të brendshëm. Është kaq e thjeshtë”, ka thënë presidenti i ardhshëm demokrat.
“Ai ishte personi që e nxiti sulmin e pashembullt mbi institucionet e demokracisë tonë dhe ajo e djeshmja ishte veçse kulmimi i atij sulmi të paepur”, ka thënë Bideni për Trumpin.
Ish-nënpresidenti amerikan gjatë administratës së Barack Obamas e quajti gjithashtu si “plotësisht të papranueshëm” faktin se policia është treguar më e butë ndaj bandave, sesa që policia përreth vendit u tregua karshi protestuesve kundër racizmit vitin e shkuar.
“Askush nuk mund të thotë që nëse protestuesit do të ishin grupi ‘Black Lives Matters’, ata do të trajtoheshin shumë, shumë më ndryshe se sa bandat që e bastisën Capitolin. Të gjithë e dimë se kjo është e vërtetë. Dhe kjo gjë është e papranueshme”, ka thënë ai.
Me këtë rast, Bideni siguroi se zyrtarët në Departamentin e tij të Drejtësisë do të jenë besnikë të ligjit, e jo presidentit.
Më herët gjatë së enjtes, Kongresi amerikan ka certifikuar zyrtarisht fitoren e presidentit të zgjedhur, Joe Biden, përkundër kundërshtimeve nga disa ligjvënës republikanë.
Gjatë certifikimit, aleatët e kahershëm të Trumpit – si Pence dhe lideri i shumicës në Senat McConnell – kanë refuzuar thirrjet e presidentit për intervenim. Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve i refuzuan dy kundërshtimet e ligjvënësve republikanë dhe i certifikuan rezultatet përfundimtare të Kolegjit Elektoral, të cilat e konfirmuan fitoren e Bidenit me 306 vota elektorale kundruall 232 sa i mori Trumpi.
Sulmi në Capitol ishte kulmimi i muajve të tërë të përshkuar me ndasi dhe retorikë përçarëse nga Trumpi dhe aleatët e tij lidhur me zgjedhjet e 3 nëntorit. Qysh atëherë, Trumpi ka pretenduar pa ofruar as edhe një fakt se këto zgjedhje i janë vjedhur.
Mirëpo zyrtarët elektoralë nga të dyja partitë dhe vëzhguesit e pavarur kanë thënë se nuk janë evidentuar manipulime në zgjedhjet që Bideni i fitoi me më shumë se 7 milionë vota popullore. Që nga trazirat e së mërkurës, Trumpi është ngujuar përbrenda Shtëpisë së Bardhë, i rrethuar vetëm nga besnikët e tij të palëkundur. Ndërsa në ndërtesën e Capitolit janë duke u instaluar rrethoja të reja, në prag të inaugurimit të Bidenit president.
Trumpi e ka diskutuar faljen e vetes
Presidenti amerikan, Donald Trump, u ka sugjeruar këshilltarëve të tij se synon që ta falë veten gjatë ditëve të fundit të mandatit, kanë bërë të ditur dy burime të afërta me diskutimet, për të cilat ka raportuar fillimisht e përditshmja amerikane “The New York Times”.
Një veprim i tillë do të shënonte përdorimin më të jashtëzakonshëm dhe të paprovuar të kompetencave presidenciale në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Këto diskutimet raportohet të kenë ndodhur gjatë javëve të fundit ndërsa nuk dihet saktë nëse Trumpi e ka ngritur një çështje të tillë qëkur ka nxitur mbështetësit e tij që të hyjnë në ndërtesën e Capitolit në Washington.
“Në disa diskutime që nga dita e zgjedhjeve, Trumpi u ka thënë këshilltarëve se është duke e shqyrtuar mundësinë që ta falë veten dhe, në instanca të tjera, ka pyetur nëse do të duhej ta bënte si dhe se çfarë efekti do të kishte veprimi për të ligjërisht dhe politikisht”, ka cituar gazeta amerikane pretendimet e dy burimeve anonime.
Shtëpia e Bardhë nuk u është përgjigjur kërkesave për ta komentuar çështjen.Trumpi, i cili gjatë mandatit të tij ka falur një numër të konsiderueshëm aleatësh politik dhe miqsh, kishte shkruar gjatë 2018-s në një postim të tijin në Twitter: “E kam të drejtën absolute për ta FALUR veten”.
Ndryshe, falja federale në SHBA përbën veprimin e një presidenti të shtetit që i pushon tërësisht dënimet për një krim federal. Autoriteti për ta ndërmarrë një veprim të tillë presidentit i garantohet me anë të Nenit 2, seksioni 2, klauzola 1 e Kushtetutës amerikan.
Ekspertët e çështjeve kushtetuese kanë thënë se nuk ekziston ndonjë përgjigje e prere për pyetjen nëse një president mund t’i ofrojë vetes falje ligjore. Asnjë president nuk ka provuar ta bëjë një gjë të tillë më përpara, andaj gjykatat nuk e kanë pasur rastin për ta vlerësuar një veprim të këtillë.
Ndërkaq, disa ekspertë ligjorë kanë thënë se vetëfalja do të ishte jokushtetuese ngase përbën shkeljen e parimit se askush nuk do të duhej të ishte gjykatësi i rastit të tij apo saj.