“Trumpët” e vegjël të Evropës në telashe nga humbja Donaldit

236

Marrëdhëniet e shkëlqyera me Trumpin, supozohej ta lejonin Poloninë të hidhte poshtë kritikat e Bashkimit Evropian, dhe të mbante lidhje të mira me Gjermaninë, ndërsa qeveria PiS e nënshtroi gjyqësorin në vend. Tani humbja elektorale e Trump, i shtohet setit të dytë të lajmeve shumë të këqija

Ng Slawomir SIERAKOWSKI

Zgjedhja e Joe Biden si president i Shteteve të Bashkuara, ka dobësuar seriozisht qeveritë autoritare dhe populiste në mbarë botën. Për fuqitë e pavarura globale si Rusia, Brazili dhe Turqia, largimi i Donald Trumpit nga Shtëpia e Bardhë nuk ka pse të përbëjë një tragjedi të madhe. Por për qeveritë aktuale në Poloni, Hungari dhe Serbi- dhe mbase edhe në Britaninë e Madhe – kjo ngjarje është një katastrofë e vërtetë. Ndaj nuk është për t’u habitur, pse secili prej këtyre lojtarëve më të vegjël, e ka përshëndetur me frikë dhe neveri zgjedhjen e Biden si president i SHBA-së.

E thënë më troç, presidenti serb Aleksandar Vucic është ankuar që tani se “Unë nuk pata ndonjë takim mbresëlënës me Biden, kur ai erdhi në Serbi si zëvendëspresident i Barack Obama. Dhe nuk mund të kem as tani marrëdhënie të mira më të. Unë thjeshte e përgëzova dhe kaq”. Është më se e qartë që për Vucic Rusia dhe jo Amerika, do të mbetet “Ylli Polar”. Nga ana e tij, kryeministri hungarez Viktor Orban, ka kohë që e ka bërë të qartë se “Plani A”i tij ishte bazuar në një fitore tëTrump, duke reflektuar sesa të afërt ishin bërë 2 udhëheqësit. Ashtu si Vucic, edhe qeveria hungareze është e pakënaqur nga gjërat që ka thënë mbi Biden në epokën e Obamës, kur sipas Ministrit të Jashtëm hungarez Péter Szijjártó, Hungaria ishte subjekt i “akuzave dhe sulmeve të vazhdueshme”. Sigurisht, para se Trump të ngjitej në pushtet, Orban ishte praktikisht një person ‘non grata’ në Uashington. Presidenti i fundit amerikan që vizitoi Hungarinë, ishte George W.Bush në vitin 2006, kur Orban nuk ishte ende në pushtet. Kur Orbán u ngjit në krye në vitin 2010, administrata Obama e kritikoi atë vazhdimisht për tendencat e tij autoritare, goditjen e mediave publike dhe private si dhe për kleptokraci.

Në kundërpërgjigje, Hungaria vendosi sanksione kundër disa zyrtarëve amerikanë të nivelit të lartë. Dhe pas mbërritjes së Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, e mbylli universitetin amerikan në vend, pasi ishte pronë e George Soros. Por Orbán ka kohë që është përpjekur të manovrojë në skenën gjeopolitike. Kur mbante marrëdhënie të ngushta me Rusinë dhe madje edhe Kinën, ai gëzonte mbrojtjen e politikanëve gjermanë – veçanërisht atyre bavarezë, të cilët nuk e fshehin simpatinë e tyre për të. Kësisoj Orban ia ka hedhur paq dhe pas sulmeve të përsëritura ndaj parimeve themelore evropiane, siç është sundimi i ligjit, dhe madje e ka shfaqur hapur antisemitizmin e tij. Deri më sot partia e tij, Fidesz, mbetet pjesë e Partinë Popullore Evropiane, grupimi i konservatorëve në Parlamentin Evropian. Ndërkohë, qeveria e Polonisë duhet që të shqetësohet më shumë për zhvillimin e fundit në Uashington.

Kur partia në pushtet Ligj dhe Drejtësi (PiS) erdhi në pushtet në vitin 2015, ajo zgjodhi në fillim Britaninë si aleaten e saj kryesore brenda BE-së. Por që nga zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA, (të cilat pasuan referendumin pro Brexit në Mbretërinë e Bashkuar), PiS u mbështetur në marrëdhënien e saj komode me Trumpin, një udhëheqës amerikan që ishte shumë pak i interesuar për parimet demokratike ose sundimin e ligjit.

Tani që Trump po ikën nga pushteti dhe Johnson (i quajtur nga presidenti amerikan në ikje si “Trumpi i Britanisë), po nxiton të fitojë simpatinë e Biden, qeveria polake nuk ka më miq të fuqishëm në skenën ndërkombëtare. Dhe kjo sepse Varshava është një armike e palëkundur e Moskës. Ky zhvillim, përfaqëson një shkelje tjetër të strategjisë diplomatike post-komuniste të Polonisë, dy parime të së cilës ishin shmangia e varësisë nga çdo vend, dhe shmangie e izolimit me çdo kusht. Sigurisht, PiS nuk mund të thotë se nuk i dinte rreziqet e humbjes së aleatit të saj të fundit.

Vetëm muajin e kaluar, Biden e bëri të qartë mendimin e tij përbuzës ndaj qeverisë së PiS, kur e përfshiu Poloninë, bashkë me Hungarinë dhe Bjellorusinë,si një shembull të “ngritjes së regjimeve totalitare në botë”. Ndërsa presidenti polak Andrzej Duda nxitoi të përgëzonte Trumpin për fitoren e tij vitin në 2016, këtë herë ai e përgëzoi Biden thjesht “për një fushatë të suksesshme presidenciale”. Për Trump, Polonia ishte provë se politika e jashtme mund të ishte transaksionare. Qeveria e PiS nënshkroi kontrata të shumta me SHBA-nëpër blerje armësh, në këmbim të gjesteve simbolike, të tilla si ftesa e Trump për presidentin Duda për të vizituar Shtëpinë e Bardhë gjatë fushatës së tij presidenciale në qershor.

Më 9 nëntor, Duda nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes Poloni-SHBA, që është plot me ngjyrime Trumpiane. Një marrëveshje e ngjashme, e përfunduar nga një qeveri e mëparshme polake,bënte përgjegjëse SHBA për kostot e ndërtimit, dhe i jepte policisë juridiksion juridik mbi personelin amerikan dhe bazat në territorin e saj. Sipas marrëveshjes së re, Polonia do të marrë financime nga SHBA,ndërsa kjo e fundit do të ruajë juridiksionin mbi bazat e saj. Marrëdhëniet e shkëlqyera me Trumpin, supozohej ta lejonin Poloninë të hidhte poshtë kritikat e Bashkimit Evropian, dhe të mbante lidhje të mira me Gjermaninë, ndërsa qeveria PiS e nënshtroi gjyqësorin në vend. Tani humbja elektorale e Trump, i shtohet setit të dytë të lajmeve shumë të këqija. (Project Syndnicate)