Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump është pyetur në Davos, nëse bisedimet e paqes mes Izraelit dhe Palestinës do të rifillojnë. Në përgjigjen e dhënë ai nuk ka hezituar të fajësojë palestinezët. Trump tha se palestinezët kishin treguar “mosmirënjohje” ndaj SHBA-ve pas vendimit të tij të diskutueshëm për të njohur Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit. “Respekti duhet t’i tregohet SHBA-ve ose nuk do të shkojmë më tutje”, u tha ai gazetarëve në Davos. Palestinezët thonë se SHBA nuk mund të konsiderohet më as një ndërmjetës neutral për bisedimet. Presidenti Mahmoud Abbas e ka quajtur deklaratën e Trump për Jerusalemin në dhjetor “shuplakën e shekullit”. Megjithatë, duke u ulur pranë Kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu në Forumin Ekonomik Botëror, Trump tha: “Izraeli gjithmonë ka mbështetur Shtetet e Bashkuara, kështu që ajo që bëra me Jerusalemin ishte nderi im”.