Uashington, 3 korrik – Në prag të Ditës së Pavarësisë, presidenti amerikan Donald Tramp sot do të mbajë fjalim në malin Rashmor në Dakotën e Jugut dhe do të marrë pjesë në fishekzjarret dhe festimet, në të cilat sipas disa raporteve mund të vijnë rreth 7.500 njerëz.
Fishekzjarret do të ndodhin në pjesën ku janë të skulpturuara portretet e presidentëve Xhorxh Uashington, Tomas Xheferson, Teodor Rusvelt dhe Abraham Linkoln, të gdhendura në shkëmbinjtë e granitit të malit Rashmor.
Një shfaqje e ngjashme e fishekzjarreve me rastin e Ditës së Pavarësisë nuk është mbajtur këtu që nga viti 2009. Fishekzjarret janë ndaluar këtu për shkak të probabilitetit të lartë të zjarreve në pyjet përreth. Por Tramp ka thënë se ai dëshiron ta ripërtërijë traditën, ndërsa zyrtarët e Dakotës së Jugut e kanë mbështetur idenë, duke argumentuar se “teknologjitë e reja në prodhimin e fishekzjarreve janë shumë më të sigurta”.
Autoritetet thanë që nuk do të zbatojnë masa për mbajtje të maskave dhe distancë fizike, dhe se organizatori ofron maska falas për këdo që dëshiron.
Sipas raporteve të mediave, indianët autoktonë po planifikojnë një veprim protestues gjatë vizitës së Trampit dhe kanë kritika se pse presidenti po feston në një vend të shenjtë për ta.
Demokratët, nga ana e tyre, e kanë kritikuar qëllimin për të mbajtur një festë të tillë gjatë pandemisë. Konventa Kombëtare Demokratike (DNC), organizata kryesore e Partisë Demokratike, më parë në tuit shkruajti se duke shkuar në Rashmor, presidenti nuk është dakord me protestat aktuale kundër racizmit dhe veprimi është një “celebrim i epërsisë së racës së bardhë”.
Ligjvënësi republikan J. Dakota, Dasti Xhonson, u përgjigj menjëherë, duke i akuzuar demokratët se duan ta fshijnë historinë e SHBA-së. DNC më pas e fshiu tuitin, dhe kur u pyet nga Rojters, nuk shpjegoi pse e bëri këtë.
Tramp shënimin kryesor për 4 korrik do ta mbajë nesër në Shtëpinë e Bardhë.
Mali i Rashmor ka qenë një vend i shenjtë për fisin lakota me shekuj.
Puna për krijimin e një kompleksi monumental me figurat e presidentëve zgjati nga 1927 deri më 1941 nën mbikëqyrjen e skulptorit Gutson Borglum. Ai ishte anëtar i Kju Kluks Klan. Me këtë, ai dëshironte t’i theksonte idealet e larta që secili prej tyre i përfaqësonte për të mirën e amerikanëve.
Skulptori ka thënë se Xhorxh Uashington u zgjodh sepse ai e prezantoi demokracinë, Tomas Xheferson e miratoi Deklaratën e Pavarësisë, Abraham Linkoln i dha fund skllavërisë, ndërsa Teodor Rusvelt e miratoi ndërtimin e Kanalit të Panamasë.