Presidenti amerikan Donald Trump u ka thënë përkrahësve se muri i tij i propozuar përgjatë kufirit me Meksikën mund të ketë panele diellore. Gjatë një tubimi në Iowa, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se panelet do të siguronin energji të lirë dhe do të ndihmonin për të paguar për murin e diskutueshëm. Megjithatë, panelet diellore edhe më herët janë përfshirë në planet e dorëzuara nga kompanitë ofertuese.
Gjatë fushatës së tij, Trumpi premtoi të ndërtojë një mur përgjatë kufirit meksikan për të ndaluar imigracionin e paligjshëm dhe trafikun e drogës. Ai këmbënguli se Meksika do ta paguante ndërtimin e murit, por homologu i tij meksikan, Enrique Pena Nieto, e ka hedhur poshtë idenë. Më shumë se 200 kompani raportohet se i janë përgjigjur ftesës së Departamentit të Sigurisë Kombëtare për të paraqitur planet për murin.