Trump këmbëngul se hetimi për shkarkimin e tij është sulm politik

Presidenti amerikan Donald Trump po këmbëngul në pretendimet e tij se hetimi për procesin e shkarkimit është një tjetër episod në një sagë të gjatë të kundërshtarëve të tij politikë për të mos ta lejuar atë që të fitojë zgjedhjet e vitit 2020 dhe për të përmbysur presidencën e tij.

Një ditë pasi ligjvënësit demokratë demokratë mbyllën një javë të dytë me dëshmi publike nga zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë dhe zyrtarë të tjerë të administratës, presidenti i përsëriti akuzat kundër demokratëve në një intervistë njëorëshe telefonike me një program të kanalit Fox Neës.

Zoti Trump përsëriti pretendimet se demokratët vunë në shënjestër fushatën e tij që nga fillimi, duke shprehur dyshime se Shtëpia e Bardhë nën Presidentin Barack Obama, ishte e përfshirë në këto përpjekje.

“Ke të bësh me nivelet më të larta të qeverisë. Ata përgjonin fushatën time”, tha zoti Trump.

Presidenti edhe më parë ka bërë akuza sipas së cilave Shtëpia e Bardhë e Presidentit Obama, kishte përgjuar telefonat e zyrtarëve të fushatës së Presidentit Trump, pa dhënë prova. Departamenti i Drejtësisë pritet të nxjerrë një raport më 9 dhjetor për të hetuar se si filloi hetimi i FBI-së për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje.

Ndërhyrja e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016, vazhdon të jetë në fokusin e Presidentit që ka shprehur dyshime për përfundimet e komunitetit amerikan të zbulimit se Moska ishte e vetmja përgjegjëse. Zoti Trump vazhdon të këmbëngulë se një kompani ukrainase luajti rol për mbajtjen e një serveri me informacion nga fushata presidenciale e Hillary Clintonit. Ai tha në intervistën e së premtes se po i kërkonte presidentit ukrainas informacion për atë teori:

“Ata e kanë serverin. Dua ta shoh atë server dhe FBI-ja akoma nuk e ka marrë. Një kompani ukrainase e ka serverin. Për këtë ishte telefonata me Zelensiy-n. Ne duam të shohim nëse ka korrupsion”, tha ai.

Të enjten, Fiona Hill, ish eksperte e lartë për Rusinë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare paralajmëroi në seancën publike në Kongres, se përsëritja e teorisë së hedhur poshtë se Ukraina ishte pas ndërhyrjes në zgjedhje, i shërbente fushatës ruse të disinformimit.

“Kjo është një përralllë që është sajuar dhe përhapur nga vetë shërbimet ruse të sigurisë. E vërteta e hidhur është se Rusia ishte fuqia e huaj që në mënyrë sistematike sulmoi institucionet demokratike në vitin 2016”.

Hapat e mëtejshme

Këtë javë dëshmitarë të shumtë raportuan se aleatët e zotit Trump, avokati personal i tij Rudy Giuliani dhe ambasadori amerikan në BE, Gordon Sondland, bënë një fushatë presioni ndaj Ukrainës.

Komisioni juridik i Dhomës së Përfaqësuesve do të përpilojë dhe votojë për nenet e kërkesës për shkarkim para se të votojë gjithë dhoma me shumicë demokrate, dhe mës pas do të mbahet një gjyq siç quhet në senatin me shumicë republikane.

Në një telefonatë në fund të korrikut me Presidentin Zelenskiy, zoti Trump i kërkoi udhëheqësit ukrainas “një favor”, hetimin e ish-nënpresidentit Biden, punën e djalit të tij Hunter Biden në një kompani ukrainase të gazit natyror dhe një teori tashmë të pavërtetuar se ishte Ukraina që kishte ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016 të fituara nga Presidenti Trump e jo Rusia, siç konkludoi komuniteti i inteligjencës amerikane.