Presidenti amerikan Donald Trump ka mbrojtur përdorimin e medias sociale nga ana e tij në një seri postimesh në Twitter, pas një vale polemikash për disa komente që ai bëri për dy prezantues të MSNBC TV dhe kritikave për kanalin televiziv CNN. “Përdorimi i medias sociale nga ana ime nuk është presidenciale, është moderne”, shkruajti ai në Twitter të shtunën. Më herët gjatë javës, ai kishte ndërmarrë një sulm të ashpër personal mbi Mika Brzezinski dhe Joe Scarborough. Postimet e tij u dënuan nga demokratët, por edhe nga republikanët, pavarësisht se Shtëpia e Bardhë doli në mbrojtje. Edhe ndihmës të Trumpit më herët kanë shprehur shqetësim për postimet e tij. Por, vetë Presidenti tha se media sociale i jep atij mundësinë të lidhet direkt me publikun duke anashkaluar mediat, që rregullisht ai i akuzon se prodhojnë lajme të rreme.
“Media e rreme po përpiqet të na mbyllë gojën, por ne nuk do ta lejojmë. Sepse njerëzit duhet të dinë të vërtetën. Media e lajmeve të rreme përpiqet të na ndalojë ne të shkojmë në Shtëpinë e Bardhë, por unë jam Presidenti, ato jo”, tha Trump. Duke iu drejtuar veteranëve të luftës, Trump premtoi se Amerika do të fitojë sërish dhe u prit me brohoritje ndërsa sulmoi mediat: “Ne fituam, ata humbën. Fakti është se shtypi ka shkatërruar veten sepse ka shkuar shumë larg. Në vend që të tregohej i matur dhe i zgjuar, përdori sëpatën dhe njerëzit e kanë parë këtë. Media e pandershme nuk do të na ndalojë dot të realizojmë objektivat tona për hir të popullit tonë. Kjo nuk do të ndodhë”. Presidenti amerikan ka më shumë se 33 milionë ndjekës në Twitter. Edhe pse po bëhet gjithnjë e më e vështirë në dukje që Presidenti të shokojë këtë audiencë, postimet e tij 140-karakterëshe janë dënuar si nga politikanët, ashtu edhe nga analistët. Disa e konsiderojnë gjuhën e Trump të papërshtatshme për njeriun që mban postin më të lartë në vend.