Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka thënë se homologu i tij turk, Recep Tayyip Erdogan, e ka informuar atë “shumë fuqishëm” se Turqia “do të çrrënjos çdo gjë që ka mbetur nga DEASH-i në Siri. Në një postim në llogarinë e tij në Twitter, Trump shkroi se, “Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, më ka informuar mua shumë fuqishëm se ai do të çrrënjos çdo gjë që ka mbetur nga ISIS-i (DEASH) në Siri… dhe ai është burri që mund të bëjë akoma më shumë, Turqia është menjëherë në derën tjetër. Trupat tonë po vijnë në shtëpi”.
Postimi i tij erdhi pas bisedës telefonike të ditës së djeshme midis dy presidentëve, kur diskutuan “tërheqjen e njoftuar së fundmi të trupave amerikane nga Siria, si dhe tregtinë e zgjeruar thellë”. Trump e përshkroi bisedën telefonike “të gjatë dhe produktive”.
Javën e kaluar, Trump duke cituar disfatën e grupit terrorist njoftoi se trupat e SHBA-ve do të tërhiqen nga vendi i shkatërruar nga lufta. Ai në një video-mesazh të postuar në llogarinë e tij në Twitter, tha se “është koha që trupat të kthehen në shtëpi”.
“Djemtë tanë, gratë tona të reja, burrat tanë, të gjithë ata po kthehen në shtëpi dhe ata po kthehen tani”, shkroi Trump. Sipas raportimeve të mediave, forcat tokësore të SHBA-ve do të largohen nga Siria brenda 60 deri në 100 ditë. Mbetet e paqartë nëse trupat e SHBA-ve në Siri, të vlerësuar rreth 2.000 ushtarë, të gjithë do të largohen menjëherë ose do të tërhiqen gradualisht.