Uashington, 12 janar – Presidenti amerikan, Donald Tramp, në një deklaratë të dhënë sot për herë të parë pas trazirave të javës së kaluar, nuk shprehu keqardhje për atë që ndodhi të mërkurën në Kapitoll Hill në Uashington, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Uashingtoni.
“Nëse e lexoni fjalimin tim, ndërsa shumë njerëz këtë e bënë, dhe unë e lexova përsëri në gazeta dhe në televizion, dhe fjalimi është analizuar, njerëzit mendojnë se ishte në rregull”, deklaroi Tramp sot në bazën ushtarake “Endrjuz” në Merilend, para udhëtimit të tij në Teksas.
Ai foli për fjalimin e tij spontan drejtuar mbështetësve javën e kaluar, në të cilën i thirri ata të “luftojnë më fortë” kundër “njerëzve të këqij”, duke i ftuar të marshojnë para Kapitollit të SHBA-së.
Për demokratët, ky fjalim, si edhe komentet e mëparshme të Trampit, ishte uvertyrë e dhunës në Kongres të shkaktuar nga mbështetësit e tij, dhe për këtë arsye ata po përgatisin procedurë për fajësimin e tij të dytë, i cili pritet të fillojë nesër.
“Nëse Nensi Pelosi dhe Çak Shumer vazhdojnë në këtë rrugë, unë mendoj se kjo do të shkaktojë rrezik të madh për vendin tonë dhe do të shkaktojë zemërim të madh. Por, nuk dua dhunë”, theksoi Tramp.
Komenti i tij u kuptua si mesazh për elementët e ekstremit të djathtë dhe konservator në SHBA, nëse ata demonstrojnë në Uashington më 20 janar, ta bëjnë këtë në mënyrë paqësore. Protesta të ngjashme priten edhe përpara kryeqyteteve të disa shteteve, për të cilat Byroja Federale e Hetimit tashmë ka dërguar paralajmërim.
Javën e kaluar, të mërkurën, një turmë e mbështetësve të Trampit, disa prej tyre të armatosur me flamuj të Konfederatës, i rrëzuan barrikadat e policisë në objektin e Kapitoll Hill në Uashington dhe i sulmuan zyrat e kongresistëve, duke e futur politikën amerikane në një kaos total.