Presidenti amerikan, Donald Trump, do të vizitojë rajonin Florida i cili është goditur nga uragani Irma. Zyrtarët kanë njoftuar se Trump bashkë me zonjën e parë Melania ditën e enjte do të vizitojnë Florida-n për të vërejtur dëmet që Irma ka shkaktuar në rajon.
Ndërkohë drejtori i Departamentit Federal të Menaxhimit të Situatave Emergjente, Brock Long, ka njoftuar se një e katërta e shtëpive në grupin e ishujve Keys Florida janë shembur dhe se 65 për qind e tyre janë dëmtuar. Ndër të tjera theksohet se afërsisht 90 mijë persona janë rikthyer në Florida Keys dhe Miami Beach dhe se krahas punimeve të kërkim shpëtimit në rajonet më të prekura nga uragani vazhdon edhe shpërndarja e ndihmave me ushqime dhe ujë të pijshëm.
Për shkak të uraganit Irma në Florida, Karolinën e Jugut dhe Xhorxhia të SHBA-ve njoftohet se numri i personave që kanë humbur jetën është rritur në 18, dhe në Karaibe në 37. Gjithashtu theksohet se 6.9 milionë shtëpi në Florida, Xhorxhia, Karolinën e Veriut, Karolinën e Jugut dhe Alabama nuk kanë energji elektrike dhe se 110 mijë persona në Florida jetojnë në strehimore.
Uragani Irma ka shkaktuar evakuimin më të madh në historinë e SHBA-ve dhe se përafërsisht për një të tretën e popullsisë së Floridës (6.5 milionë) është dhënë vendimi për evakuimin e detyrueshëm. Në rajonet e Karolinës së Veriut, Karolinës së Jugut, Xhorxhias dhe Virxhinias ishte shpallur situatë emergjente e plotë dhe e pjesshme.