Në mungesë të një politike evropiane të ndarë, rruga e vetme e përshkueshme është ajo e formalizimit të një Bashkimi Evropian me dy shpejtësi, siç ka kërkuar edhe kancelarja Angela Merkel. Kështu deklaron ish-kryeministri italian Romano Prodi, i cili shprehet i shqetësuar për kërcënimin e dyfishtë të Donald Trump dhe Marine Le Pen. “Jemi përballë një kërcënimi të dyfishtë të koordinuar nga jashtë dhe nga brenda. Janë dy fytyra të të njëjtit rrezik: nuk e kuptoj se si ende nuk janë martuar”, deklaroi Prodi.
“Trump bën revolucion, njofton trazira, sulmon Gjermaninë dhe kërkon ta ndajë nga pjesa tjetër e Europës, minon mbrojtjen evropiane. Kurse Le Pen predikon vdekjen e BE-së dhe madje të NATO-s”, nënvizon Prodi për La Repubblica. “Dhe deri tani, -shton ai,- nuk ka ardhur asnjë reagim”.
BE-ja me dy shpejtësi, shpjegon, “është përgjigjja që prisja edhe pse do kisha preferuar që të lindte nga një debat më i gjerë politik. Më në fund Gjermania duket se po fillon të marrë rolin e udhëheqësit që nuk ka dashur kurrë ta ushtrojë”. Megjithatë sqaron, “Europa me dy shpejtësi nuk është dhe nuk duhet të bëhet një Europë e klasit të parë dhe të dytë. Mbi të gjitha jo një Europë ku pasagjerët e klasit të parë të vendosin kush duhet të rrijë në të dytin. Është rasti që qeveria italiane të përgatitet mirë, Samiti i Romës, në mars ta përjashtojë këtë mundësi”.