Presidenti amerikan Donald Trump dhe tetëvjeçarja nga Siria, Bana Alabed, janë emëruar nga revista prestigjioze “Time” si dy njerëzit më me influencë në internet. Me postimet e tij legjendare, të fshehta dhe sensacionale, presidenti i 45-të amerikan u bë pjesë e listës së 24 personave me prani të fuqishme në mediat sociale dhe aftësinë për të pushtuar titujt e gazetave. Trump ka përdorur shkëlqyeshëm Twitter-in për të nxitur politikat e tij dhe për të sulmuar armiqtë dhe kritikët e tij. “Unë dua të bëhem një mësuese, por kjo luftë po më vret ëndrrat”, kështu shkruante Bana Alabed, 7-vjeçarja nga Alepo e cila në pamje të parë mund të duket si të gjithë fëmijët e tjerë, por që kur qyteti i saj u bë një zonë lufte, Bana ëndërronte vetëm të shpëtojë gjallë nga e gjithë kjo. Me ndihmën e nënës së saj Fatemah, Bana ka krijuar një adresë twitteri në të cilën ka pasqyruar ditë pas dite jetën e saj në qytetin sirian, para se të evakuohej, shkruan syri.net. Nënë e bijë filluan të postonin në twitter në datën 24 shtator, dhe për një kohë të shkurtër ato numërojnë rreth 60.000 ndjekës.