Sipas raportit për konkurrencë globale, ekonomia e vendit është pozicionuar në vendin e 84-të në vitin 2017, duke shënuar rënie prej 22 vendeve në raport me vitin 2016. Notat më të dobëta janë fituar në kapacitetin e inovacioneve me 31.1 për qind, madhësinë e tregut me 39.2 për qind, dhe funksionimin e institucioneve me 50.6 për qind
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 22 maj – Konkurrenca e ekonomisë vendore ka filluar të lëvizë, mirëpo për një hap më të fuqishëm dhe më të sigurt – nevojitet një bashkëpunim më i madh i biznesit, universiteteve dhe shtetit. Nevojitet që jo vetëm biznesi të shkojë tek fakultetet, por edhe anasjelltas – edhe profesorët të shkojnë tek biznesi, thotë profesori i Fakultetit të Makinerisë në Shkup, Miomir Polenakoviq, shkruan gazeta KOHA.
“Jo se në vend mungon truri që do të ndihmojë kompanitë që përmes inovacioneve të rrisin konkurrencën e tyre, por duhet të rritet bashkëpunimi midis kompanive dhe shkencës. Në këtë drejtim, për shembull, mund të përmend rastin e fundit të suksesit të arritur midis fabrikës Rade Konçar dhe studentëve dhe profesorëve të fakultetit tonë në përgatitjen për dalje në treg të një lloji të peletave, ku edhe u punësuan mbi 10 inxhinierë në kuadër të zgjidhjes së problemeve që mundojnë firmat.”, thekson Polenakoviq. Një bashkëpunim i tillë do të rrisë edhe pagat e të rinjve, të cilët mund ti mbajnë këtu që të mos ikin, vetëm me rritjen e të ardhurave mujore, por edhe duke mbështetur më fuqishëm sipërmarrjen në shtet, shton ai.
Polenakoviq pret që me shumën serioze të parave që po derdh Fondi i Inovacioneve të përmirësohet edhe konkurrenca e kompanive të vogla dhe të mesme në vend. Në ndërkohë, pritet të mbështetet konkurrenca e kompanive të vogla dhe të mesme në Maqedoninë e Veriut edhe me projektin që do të përforcojë kapacitetet e tyre për të shfrytëzuar më shumë fondet evropiane, thotë Aleksandra Karakashova nga MileuKontakt.
“Problemi më i madh i kompanive të vogla dhe të mesme në shtet që nuk kanë mundësi më shumë të shfrytëzojnë të hollat evropiane, qëndron tek aplikacionet komplekse dhe kapacitetet e tyre të vogla që të thithin fonde të tilla. Bizneseve, për shembull, ju mungojnë mjaftueshëm burimet njerëzore që do të plotësojnë kriteret e që nuk janë edhe aq të thjeshta “, thekson ajo.
Karakashova vlerëson se nuk mungon ndihma e shtetit për të rritur konkurrencën e kompanive të vogla dhe të mesme në shtet përmes Fondit të Inovacioneve, Agjencisë për nxitjen e sipërmarrjes…, por shton më tej ajo, mbetet çështje diskutimi se sa një e tillë është e mjaftueshme.
Ndryshe, ekonomistët thonë se fakti që shteti akoma është punëdhënësi dhe kontraktuesi më i madh dhe kur në një pjesë të ekonomisë kemi monopole apo edhe oligopole të heshtura, flet se akoma kemi shumë punë që të krijojmë një ekonomi të denjë që mund të përballet me konkurrencën e ashpër në BE. Me fjalë të tjera, akoma nuk kemi një ekonomi të fuqishme dhe konkurruese që do të hapë vende të reja dhe mirë ta paguara të punës, në vend se qytetarët të rendin të punësohen në punë shteti. Maqedonia renditet ndër ekonomitë më të dobëta në Evropë lidhur me konkurrencën e ekonomisë vendore. Sipas raportit për konkurrencë globale, ekonomia e vendit është pozicionuar në vendin e 84-të në vitin 2017, duke shënuar rënie prej 22 vendeve në raport me vitin 2016. Maqedonia , notat më të mira i ka shënuar në fushën e shëndetësisë me 80 pikë nga 100 të mundshme, stabilitetin makroekonomik ku ka fituar 74.6 pikë dhe dinamizmin në biznes ku ka fituar 61.2 pikë.
Notat më të dobëta janë fituar në kapacitetin e inovacioneve me 31.1 për qind, madhësinë e tregut me 39.2 për qind, dhe funksionimin e institucioneve me 50.6 për qind. (koha.mk)