Sipas Asanit, ky investim do të përmirësojë dukshëm lëvizjen e banorëve dhe qytetarëve të fshatrave te Komunës së Tearcës, ndërsa është vazhdimësi e investimeve kapitale që investohen në përmirësimin e infrastrukturës rrugore nëpër të gjitha fshatrat e Komunës së Tearcës
Urim HASIPI
Tetovë, 9 janar – Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti pritet të përfundojnë rreth 2 kilometra ndriçim përgjatë trotuarit të rrugës Tetovë-Jazhincë në territorin e Komunës së Tearcës. Me përfundimin e ndriçimit publik përfundon tërë projekti i rregullimit të trotuarit me gjatësi rreth 13 kilometra. Qëllimi i tërë këtij projekti ka qenë për lëvizje më të lirë dhe më të lehtë të banorëve të fshatrave të Tearcës përgjatë rrugës regjionale Tetovë-Jazhincë. Kjo rrugë është mjaft e frekuentuar edhe për faktin se është rrugë regjionale që lidh Maqedoninë Perëndimore me Kosovën. Kryetari i Komunës së Tearcës, Isen Asani, është shprehur se në të kaluarën nuk është përkujdesur askush për rrugët dhe i kanë lënë në gjendje të mjerueshme.
“Neve si komunë jemi në aktin përmbyllës të ndërtimit të trotuarit nga fshati Neproshten deri në Odër. Kemi përfunduar komplet aksin rrugor nga Neproshteni deri në fshatin Odër, ndërsa na ka mbet vetëm një segment prej rreth dy kilometra i papërfunduar. Në 6 mujorin e parë të vitit të ardhshëm ne do ta realizojmë dhe atë, dhe përfundimisht qytetarët e Komunës së Tearcës kanë ku të lëvizin, sepse u kemi krijuar siguri”, deklaroi Asani. Ai më tej është shprehur se 13 kilometra trotuar janë asfaltuar edhe pse institucionet qendrore nuk janë kujdesur për mirëmbajtjen e saj.
“Por le të dihet dhe një gjë tjetër, se ajo rrugë nuk ka qenë dhe nuk është në domenin e Komunës së Tearcës, por komuna ka financuar për më shumë kushte dhe siguri për qytetarët, pasi ajo rrugë rajonale duke e pa të kaluarën se askush nuk është përkujdes, ne e morëm përsipër me mundësitë tona, me Byronë për Zhvillim Rajonal, Agjencinë për Përkrahje Financiare arritëm deri këtu – ku mbi 13 kilometra kemi asfaltuar trotuar në rrugën rajonale Tetovë-Jazhincë. Kjo është bërë me qëllim që në këtë rrugë, krahas pamjes dhe imazhit ndryshe, po ashtu edhe gjatë natës – mjaft do të ndihmojë vozitësit që të mos kenë probleme kur dihet se në këtë rruga është i madh frekuentimi i automjeteve që lëvizin në drejtim të Jazhincës dhe jo rrallë herë janë shkaktuar aksidente”, tha Asani.
Sipas kreut të kësaj komune, ky investim do të përmirësojë dukshëm lëvizjen e banorëve dhe qytetarëve të fshatrave te Komunës së Tearcës, ndërsa është vazhdimësi e investimeve kapitale që investohen në përmirësimin e infrastrukturës rrugore nëpër të gjitha fshatrat e Komunës së Tearcës. Vite me radhë, rruga regjionale Tetovë-Jazhincë, vazhdon që edhe më tutje të jetë në mesin e rrugëve më të rrezikshme në rrethinën e Tetovës, për shkak se në këto rrugë janë regjistruar shumë aksidente në disa raste edhe me pasoja tragjik, gjegjësisht me të vdekur ku kryesisht kanë pësuar edhe këmbësorët. (koha.mk)