Ndërtimi i këtyre trotuareve është bërë për të përmirësuar sigurinë e vet banorëve që kanë shtëpitë afër kësaj rruge regjionale, tha Isen Asani, kryetar i Tearcës
Urim HASIPI
Tetovë, 23 tetor – Aktualisht përgjatë rrugës Tetovë-Jazhincë është duke u punuar intenzivisht në rregullimin e trotuareve në fshatin Sllatinë dhe Neproshten. Gjatë rifillimit të punëve në këtë aks rrugor, Komuna e Tearcës kishte hasur në disa pengesa, të cilët janë tejkaluar dhe punët ka vazhduar gjatë dy muajve të fundit pa ndërprerë, shkruan gazeta KOHA.
Ndërtimi i këtyre trotuareve është bërë për të përmirësuar sigurinë e vet banorëve që kanë shtëpitë afër kësaj rruge regjionale, tha Isen Asani, kryetar i Tearcës. “Duke patur parasysh sigurinë e banorëve në këtë pjesë të Komunës së Tearcës, ne do të vazhdojmë edhe më tej që të rregullojmë trotuare duke vazhduar deri në fshatin Neproshten, gjegjësisht deri në kufirin me Komunën e Tetovës”, ta kreu i komunës së Tearcës. Tearca vitin e kaluar filloi punët ndërtimore në ndërtimin e trotuarit përgjatë rrugës Tetove-Jazhincë, nga fshati Sllatinë drejtë fshatit Tearcë në gjatësi 2.5 kilometra dhe gjerësi 2.6 metër. Sipas kreut të kësaj komune, ky investim do të përmirësojë dukshëm lëvizjen e banorëve dhe qytetarëve të fshatrave te Komunës së Tearcës dhe është vazhdimësi e investimeve kapitale që investohen në përmirësimin e infrastrukturës rrugore nëpër të gjitha fshatrat e Komunës.
Kohë më parë, trotuar është ndërtuar edhe në fshatin Dobrosht. Banorët e fshatit Përshefcë kishin reaguar se pse nuk ndërtohet trotuarin në fshatin e tyre, ndërsa Asani thotë se edhe në këtë fshat trotuaret do të ndërtohen.
“Në agjendën tonë, prioritet e kemi trotuarin e fshatit Përshefcë dhe shumë shpejtë kjo çështje do zgjidhet. Kjo çështje për fshatin Përshefc do të jetë e kryer, nuk do lejojmë ne kështu për arsye se kërkesa është e arsyeshme dhe është pragmatike dhe ne do ti mbështesim”, ka thënë kohë më parë Asani. Krahas kësaj, deri më tash, pjesa më e madhe e rrugës regjionale Tetovë-Jazhincë që kalon në Komunën e Tearcës është edhe me ndriçim publik.
“Kjo është bërë me qëllim që në këtë rrugë, krahas pamjes dhe imazhit ndryshe, po ashtu edhe gjatë natës mjaft do të ndihmojë vozitësit që të mos kenë probleme kur dihet se në këtë rrugë, është i madh frekuentimi i automjeteve që lëvizin në drejtim të Jazhincës dhe jo rrallë herë janë shkaktuar aksidente”, thonë në komunën e Tearcës. Përndryshe, vite me radhë rruga regjionale Tetovë-Jazhincë vazhdon që edhe më tutje të jetë në mesin e rrugëve më të rrezikshme në rrethinën e Tetovës, për shkak se në këto rrugë janë regjistruar shumë aksidente, në disa raste edhe me pasoja tragjik, gjegjësisht me të vdekur. Arsyet më e shpeshta për numrin e madh të aksidenteve është mos përshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës, gjegjësisht vozitja e shpejtë, mos respektimi i sinjalistikës rrugore, stërngarkimi i rrugës për shkak të rritjes së fluksit të automjeteve që qarkullojnë në këtë rrugë, sidomos në muajt e verës,por edhe për shkak të dëmtimit të rrugës në shumë pjesë të sajë. Si rezultat në këtë rrugë rajonale janë regjistruar shumë dalje nga rruga, të cilat jo rrallë herë janë shoqëruar edhe me rrokullisjen e automjeteve, ndeshje, por ka pasur raste kur kanë pësuar edhe këmbësorët, çiklistët dhe motoçiklistët. Në ndërkohë me ndërtimin e trotuareve pritet që të rritet siguria e këmbësorëve në rajonin e kësaj komune. (koha.mk)