Trajneri francez, Zinedin Zidan nuk do të jetë më trajneri i Real Madridit, pasi ka dhënë dorëheqjen e menjëhershme nga drejtimi i skuadrës së “Los Blancos”, në konferencën e paradites së sotme. Me anë të një konferencë të pa parashikuar vetë trajneri ka deklaruar dorëheqjen nga stoli i Real Madrid, pasi vetëm pak ditë me parë fitoi Champions League për të tretin vit radhazi. Ka qenë pikërisht Zidane që ka shpjeguar largimin nga stoli madrilen, drejtimin e të cilëve e kishte marre 2 vite e gjysme më parë, teksa sukseset dhe rekordet e arrira janë të mëdha.
“Mora vendimin për të mos vazhduar si trajneri i Real Madrid, fola me presidentin për atë që mendoja dhe arsyet e mia. Mendoj se ishte momenti për të gjithë, për mua, për klubin. E di që është moment i veçantë por mendoj se është momenti më i mirë për të gjithë. Ajo që mendoj është se ky ekip duhet të vazhdojë të fitojë dhe ka nevojë një ndryshim. Mendoj se ekipi ka nevojë për diçka tjetër dhe padyshim një metodologji tjetër stërvitje e pune, ndaj mora këtë vendim, pasi e dua shumë këtë klub dhe ia thashë edhe presidentit. Ai më dha mundësinë të vija të luaja te Reali, do t’i jem mirënjohës përgjithmonë. Por mendoj se sot për mua, për të gjithë, duhet ndryshuar, ndaj e mora këtë vendim për të mos vazhduar vitin tjetër”, pohoi Zidane.
Megjithatë, sipas mediave ai është në kontakt me Federatën Franceze për të marrë në drejtim përfaqësuesen e atij vendi.