Tash kampi Pendarovski dhe kampi Siljanovska kanë kthyer sytë nga votat tona, nga votat e Ndershmërisë dhe Barazisë, të cilat do t’i japim vetëm me një kusht: Ndershmëri! Koncepti NDERSHMËRI bie ndesh me fushën e politikës, duket sikur janë antonime me njëri-tjetrin, por termi Ndershmëri është sinonim i popujve që jetojnë në këtë vend, i z.Reka dhe i opozitës shqiptare. Të gjithë të ndryshëm për të qenë të barabartë!
Nga Arben TARAVARI
Pak ditë kanë kaluar nga zgjedhjet e fundit Presidenciale, të cilat sipas rezultateve nuk u mbyllën, por u vendos të shkohej në raund të dytë për të përcaktuar se kush do të jetë personi që do të mbajë postin e Presidentit të vendit. Megjithatë pavarësisht se jo de jure por de facto, ka një fitues, krejt të papritur ndoshta për mosbesuesit, për ata që duan t’i trashëgojnë me koncesion 100 vjeçar ministritë, shtetin dhe pushtetin, këto zgjedhje hynë në histori sepse në këto zgjedhje triumfoi z.Blerim Reka dhe opozita.
Dy kandidatët e tjerë sado kaluan në fazën e dytë për të vazhduar betejën e tyre, duhet të kujtojmë që mbështeteshin nga elektorate që duhet t’i jepnin fitore absolute që në raundin e parë, kurse z.Reka ishte një kandidat i cili mbështetej nga opozita, e cila përveçse përkushtimit ndaj popullit nuk kishte asnjë pushtet për të ofruar!
Kandidati Pendarovski vinte si propozim, si marrëveshje e 33 partive që qeverisin vendin, SDSM, BDI dhe shumë të tjerë. LDSM-ja nuk ka shumë kohë që ka marrë timonin e shtetit, është një parti e re e cila erdhi gati në mënyrë revoluacionare në pushtet, madje kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela u rrezikua për vdekje në 27 prillin e famshëm ku filloi dhe rrënimi i regjimit të vjetër. Në atë kohë ndodheshin krah tij edhe Zoran Zaevi (sot kryeministër i vendit), të gjithë duke luftuar për të çliruar popullin nga hekurat e totalitarizmit të atëhershëm. Çdo etni e donte këtë punë, të gjithë pa marrë parasysh çfarë dhe kush ishim u bashkuam nën emrin e Lirisë, po shumë shpejt me formimin e qeverisë së re, Zaevit do t’i dilte një problem i madh, ai duhej të bashkëjetonte në qeverinë e re me gjysmën e atij regjimi që kishte luftuar aq shumë, kjo gjysëm ishte BDI-ja. Kryeministri me hir a me pahir vendosi bashkëpunimin duke bërë naivin në sy të popullit, në emër të proceseve evropiane që duhej të ecte shteti. Por këto procese të reja nuk mund të bëheshin me BDI-në, tek e cila dështoi edhe Zaevi, pasi nuk e kuptoi që koha e saj ka perënduar.Kështu kandidati i tyre konsensual Pendarovski u penalizua me raund të parë pasi BDI-ja kapitulloi duke dobësuar ndjeshëm dhe imazhin e LDSM-së tek populli, i cili u ndie i tradhtuar nga LDSM-ja që mbante në krah një parti që e kishte denoncuar dje si pjesë e krimit. Pra Pendarovski dhe LDSM-ja morën kusuret e gabimit BDI, pasi kjo parti nuk ka më kredibilitet në popull. Kandidatja tjetër, znj.Siljanovska pati votat e të gjithë elektoratit të opozitës maqedonase e cila si më e madhja e llojit të saj, shto dhe gabimet taktike të Zaevit, mori një numër befasues votash.
Por triumfi është i pastër dhe i takon vetëm Rekës dhe opozitës shqiptare, e cila edhe pse në kushtet e një elektorati që shumica ka marrë rrugët e mërgimit, edhe pse nën presionin e BDI-së që monitoron jetën dhe fatin e njerëzve, mori plot 80 mijë vota! 80 mijë shqiptarë, maqedonas, turq, bullgarë, romë, e kushdo tjetër, u bashkuan nën emrin e Lirisë, nën emrin e Respektit ndaj njëri-tjetrit, nën emrin e të ardhmes duke kryer një akt Historik me votën e tyre. Këto vota janë vetëm fillimi i një ndryshimi të madh. Tash kampi Pendarovski dhe kampi Siljanovska kanë kthyer sytë nga votat tona, nga votat e Ndershmërisë dhe Barazisë, të cilat do t’i japim vetëm me një kusht: Ndershmëri! Koncepti NDERSHMËRI bie ndesh me fushën e politikës, duket sikur janë antonime me njëri-tjetrin, por termi Ndershmëri është sinonim i popujve që jetojnë në këtë vend, i z.Reka dhe i opozitës shqiptare. Të gjithë të ndryshëm për të qenë të barabartë!
Heroike është të mos mohosh askënd dhe të jesh një familje e madhe.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)