Përderisa institucionet e drejtësisë ende nuk japin një qëndrim të prerë mbi hapat e mëtutjeshëm që duhet të ndiqen, në anën tjetër – lagja e ekspertëve dhe juristëve vë në dukje domosdoshmërinë e zgjerimit të hetimeve edhe për persona të tjerë të involvuar në këtë aferë, duke e drejtuar gishtin nga ish prokurorja speciale, Katica Janeva
Nga Emin AZEMI
Vetëm budallenjtë dhe naivët mund të shpresojnë se koha punon për ta. Ata, jo rrallë punojnë për ndonjë kohë, të projektuar si kundërvënie ndaj realitetit, por iluzioni përfundimisht mbetet iluzion. Nëse i veçojmë protagonistët e aferës “Haraçi” nga konteksti i këtushëm dhe i vendosim në një milie tjetër politik e social, tashmë do ta kishim komplet epilogun, me të gjitha rezultatet e domosdoshme të ekspertizës juridike e profesionale.
Por, te ne gjithçka fillon kumbueshëm dhe përfundon në heshtje. Në humnerën e thellë të heshtjes përfundoi edhe gjithë historia e betejave antikrimniale që i propagonte Zaevi në fushatat e tij opozitare.
Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, tash së fundmi doli në pah edhe një aferë që assesi të mbyllet. Haraçi si mjet për të disiplinuar biznesmenë të caktuar, ndaj të cilëve ishin inicuar procedura penale, është bërë nocioni më i lakueshëm i politikës me standarde të dyfishta që aktualisht po zhvillohet te ne.
Jehona e kësaj afere ka trokitur edhe në vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Tash së fundmi gazeta konzervative italiane “La Verita” publikoi një video nga takimi i të dyshuarve në aferën “Haraçi” – Bojan Jovanovski (Boki13) dhe Zoran Mileski (Kiçec) me biznesmenin Jordan Kamçev. Në videon e publikuar, e cila ishte incizuar në shkurt të këtij viti, siç bën të ditur gazeta, shihen euro të paketuara me specifikime të shënuara me dorë në fleta, ndërsa dëgjohet edhe një bisedë e Jovanovskit dhe Kamçevit për një lëndë të PSP-së në të cilën e përmendin prokuroren speciale publike, Katica Janeva.
Në vazhdim të video-xhirimit dëgjohet në prapavijë zëri një personi, i cili e ngushëllon Kamçevin me fjalët “të hënën, më së voni të martën, do t’ju lirojnë. Supremja do t’ju lirojë…”. Sipas gazetës, zëri nga prapavija është i Jovanovskit.
Nëse i kthehemi kronologjisë së ngjarjeve dhe i krahasojmë me datat që lehtësisht mund të shihen në video-xhirimet, do të vërejmë 20 shkurtin 2019, kur ka ndodhë numërimi i parave në shtëpinë e Kamçevit dhe bisedat e zhvilluara në prapavijë, ndërkohë që më 4 mars, dy javë pas këtij video-xhirimi, Gjykata Supreme edhe zyrtarisht e liron nga arresti shtëpiak Kamçevin dhe dy te tjerë, të dyshuar në lëndën “Perandoria”.
Nga video-xhirimi mund të shihet se si Jovanovski dhe Milevski si dalin nga shtëpia e Kamçevit me një çantë me para. Përpos Kamçevit, Jovanovskit dhe Mileskit, kamera kishte fiksuar edhe një dorë gruaje, kurse në prapavijë dëgjohet edhe një zë gruaje. Zëri, që mendohet se është i Jovanovskit, teksa flet për paraburgimin e Kamçevit, e përmend edhe Prokuroren speciale, duke thënë se “Katica nuk do të përdorë kurrfarë mjetesh të jashtëzakonshme juridike për ta vazhduar paraburgimin”.
Ndërkohë, videoincizimi të cilin e publikoi gazeta italiane “La Verita” në lidhje me lëndën “Haraçi” nuk ka dalë nga Prokuroria, thotë prokurori shtetëror publik Lubomir Joveski.
“Incizimi i publikuar në gazetën italiane nuk është nga burim i Prokurorisë”, thotë Jovevski në një deklaratë për “Gazetën e Pavarur”.
Nga Prokuroria Themelore Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion e cila e udhëheq lëndën “Haraçi”, nuk precizojnë se a e posedojnë incizimin si dëshmi materiale.
“Të gjitha dëshmitë të cilat Prokuroria Themelore Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion i posedon në lëndën për të cilën tregoni interes do t’i prezantojë para gjykatës kompetente gjatë procedurës eventuale gjyqësore. Lënda është në fazën e hetimit në të cilën në vazhdimësi po punohet në sigurimin e të gjitha dëshmive”, deklaruan për MIA-n nga Prokuroria.
Përderisa institucionet e drejtësisë ende nuk japin një qëndrim të prerë mbi hapat e mëtutjeshëm që duhet të ndiqen, në anën tjetër – lagja e ekspertëve dhe juristëve vë në dukje domosdoshmërinë e zgjerimit të hetimeve edhe për persona të tjerë të involvuar në këtë aferë, duke e drejtuar gishtin nga ish prokurorja speciale, Katica Janeva.
Në pritje të këtij zgjerimi, ndërkohë mund të emetohet edhe ndonjë episod në vazhdim i video-xhirimeve të tjera, ndoshta me protagonist të tjerë të involvuar, që do ta bëjnë më interesant gjithë këtë triler kriminal me regjisor, tash për tash, anonim. (koha.mk)