Shkup, 7 prill – Tridhjetë mijë nxënës të shkollës fillore dhe të mesme prej 18.400 familjeve të rrezikuara sociale në vend do të marrin kartela për internet mobil me kapacitet prej 10 gigabajtë në muaj nga “Telekomi i Maqedonisë” që të qasen në internet vetëm për platformat për mësim nga larg të caktuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Marrëveshjen sot në Qeveri e nënshkroi ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski dhe drejtori i “Telekomit të Maqedonisë” Nikolla Lushev, në prani të ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi.
Kartelat për internet falas për nxënësit e familjeve të cilat pranojnë asistencë sociale do t’i marrin në muaj deri në fund të vitit shkollor, ndërsa distribuimin do ta zbatojë Ministria e Punës dhe Politikës Sociale përmes qendrave për punë sociale.
Ministrat e falënderuan Telekomin për donacionin duke theksuar se në këto rrethana është i rëndësishëm solidariteti dhe përgjegjësia shoqërore e kompanive të cilët mund të kyçen në ndihmesën e kategorive më të ndjeshme.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi përkujtoi se mësimi nga shtëpia tashmë llogaritet mësim formal dhe do të thotë se viti shkollor nuk është ndërprerë dhe do të vazhdojë deri në afatin e paraparë kur duhet të përfundojë.
AI e falënderoi “Telekomin e Maqedonisë” për përgjegjësinë shoqërore si dhe për angazhimin e ministri Mançevski i cili, siç tha, nga dita e parë është angazhuar që kjo të realizohet. Ademi pret se me këtë donacion është tejkaluar edhe një sfidë dhe se mësimi do të vazhdojë të organizohet pa probleme serioze.(koha.mk)