Çdo gjë në këtë shtet, e ndjej njësoj si tjetri, për më shumë madje i jap edhe vulë ekzistencialiste! Të jesh politikisht korrekt është njësoj si ata “arkaikët” këshilltarë që punojnë te Kryeministri. Është një si tip filozofie “bythore” e trajtuar me përpikmëri nga “bythecët ideologjikë arkaikë”
Nga Adelina MARKU
Në një tribunë mbi marrëveshjen e fundit me fqiun grek, dallova panelistë lokalë goxha të spikatur . Emra që i njihja që nga fëmijëria ime në fakt! Mundohesha të krahasoj liberalizmin e tyne të sotëm me heshtjen e po të njëjtit liberalizëm kahmot, kur unë isha e vogël! A kishin folur ata njëjtë si sot mbi paragjykimet ndaj Tjetrit/ës, mbi të drejtën e njeriut, mbi identitetin e mitet siç flasin sot këtu? Në fakt jo, pa folur kishin mbetur gjatë kohë! Të pagojët dikur, sot, shkrumonin gojë liberalistësh! E kahmot jetojmë sa një grusht dore njerëzish bashkë, të tollovitun e të shtrembnum, të depersonalizum në ethet e rënda që na i mavijosi aparati shtetëror.
Ndërsa tema mbi identitetin është kaq e moçme, po aq sa tema mbi Tjetrin/ën e po aq sa tema mbi jetën me Tjetrin/ën që i takon një kulture tjetër! Sot dëgjoj një mikun tim të ngushtë të më flasë edhe për “trendin “ (nuk është fjalë e gjetur mirë në fakt, kjo, fjala “trend”…) e martesave të përziera mes shqiptarëve e maqedonasve, por ama askush nuk e flet këtë dashni dykulturore të përkthyer në përqindje! Thu të ketë mbri 1 përqindshin?! Nuk e dij, nuk e trajtojmë si temë ende . Po përse nuk e trajtojmë se ?! Ka dy arsye se përse nuk i qasemi kësaj teme : o nuk na pëlqen dhe i ikim me heshtje ( të dy palëve nuk iu pëlqen a), o e marim si të qenë – tuj mendu se është trend goxha i lokalizum e prandaj me vetëdije e minimizojmë tuj pas nji rezistencë neglizhente ndaj rritjes së këtij fenomeni-po e quaj! Që mos të mjafton vetëm kjo tema e martesave dykulturshe, tek tuk më bef edhe ndonjë maqedonas/e që më thotë se ka filluar të mësojë shqipen, e se në esencë i duket gjuhë e bukur, por ah gramatika- goxha e vështirë. Qeshem, e pranoj!
Gramatikën – i them – nuk e dij as unë, prandaj mos u mërzit! Të njohësh gjuhën e Tjetrit/ës është ndjenjë komoditeti më shumë. Unë e përjetoj si ndjenjë të tillë, më kupton! Nuk do e kisha flatru me epitete tjera të tipit: është kulturë, është civilizim,…sepse fjala “komoditet” përfshin çdo gjë! Tuj qen komod me veten, ti mer vendimin me e pranu ose rrefuzu tjetrin! Kur e pranon – e quajnë civizlim, kur e refuzon – e quajnë të denjosh me civilizimin! Nuk e çoj më gjatë edhe këtë muhabet, sepse nuk dua t’ia prish entuzjazmin mikut/mikeshës që mëson gjuhën time. Sigurisht që i uroj fat, sepse tuj ma dit gjuhën ka me m’njoft edhe ma mirë! Dhe kjo bën mirë për shëndetin e shoqnisë e shtetit! Nuk habitem ma se përse kaq vonë është kujtu se…, sepse përgjigjen e dij, qëndron tek primitivizmi politik që në esencë konjukturohet në potencial për me diskriminu Tjetrin/ën! Mua, me një fajël, Ty gjithashtu! Shkoi edhe kjo!
Saças verejta se të gjitha këto monologje, pra mbi martesat e përzime, mbi mësimin e gjuhës sime nga një maqedonas/e, mbi dozën e civilizmit etj etje po i bluja në mendje e me veten tuj pa e dëgju tribinën ku folësit gjëmonin afirmativisht mbi leximin e marrëveshjes me fqiun grek! Hej, për një çast vërejta se në tribinë nuk kishte asnjë folës shqiptar!!! Po pse kështu?! S’dij nëse m’u duk ky realitet asimetrik…(sepse asimetrik ka qenë gjithmonë në këtë drejtim në fakt, prandaj nuk mund të më duket edhe më shumë asimetrik…asimetria është asimetri! ) por më shumë iu habita vetes se përse nuk më kish ra në sy kjo “mungesë” që në fillim të tribinës! Pastaj përsëri fillova me monologjet e brendshme sepse ky fakt m’u duk shqetsus! Të jem rrehatuar edhe unë me idenë se për ca gjana ne shqiptarët nuk duhet të flasim sepse ( …nuk jemi të thirrur me fol…), hmmm e se do dilnim politikisht jokorrekt ndaj bashkshtetasve tanë maqedonas ?
Ose të kem rrënë rrehat e në letargji edhe unë tuj mendu se ky nuk o problem yni në fakt e se nuk duhemi mar me të…e për të qenë politikisht korrekt duhet me u bo zombi? Ose na mjaftojnë megafonasit shqiptarë të qeverisë që janë këshilldhëns të kryeministrit për çështje strategjike, do emra “arkaikë” këta do thoja që i shoh të çesin biber në çdo manxhe tash e 50 vjet të miat e nga të cilët- dorën në zemër, s’dij çfar hajri plus mundet me pas i pari qeverisë e tek synon në kohë moderne me arkaikët bisht ?! Pthuuu, n’dreq o punë! M’u desht me fol, sepse tribina monoetnike mbi çashtje të shtetit në të cilin jam edhe unë taksapaguse por dhe mjaft intelektprurse, ishte aspak politikisht korrekte! Reagimi im doli pa e menduar gjatë! Fola si votuese potenciale PRO referendumit! Por …nuk më mjaftoi kjo, fola si një qytetare e cila e sheh doemosdonë e madhe që pjesë e tribinës në këtë temë të jetë shqiptari njashtu. Përse? Dy arsye dhe atë shumë të forta: e para, sqarova mbi identietin poashtu të padiskutueshëm kulturor të shqiptarëve që bota i njeh si : shqiptarë, arvanitë, arnautë, arbëreshë, albanas, …etj etje, ndërsa ne komodshëm flasim në një gjuhë e thirremi në një histori.
Ky kontinuitet kulturor ka domethanie identitare historike për të gjithë ne që gjëmojmë në gjuhën shqipe! Ju thash se ngjizja e ngjitja e identitetit kulturor me shtetin nuk është kategori e shëndetshme, sepse është identiteti kulturor dimension i gjallë e organik, ndërsa shteti është konstrukcion politik! Kufinjtë janë konstrukcione politike,’ kapish’, ndërsa identiteti kulturor është organikë që definohet nga mendja . Kur mendja harron të zhvillojë identitetin kulturor, asimilohesh nga vetëakulturimi. Ju thash se traumën e maqedonasve e njoh, nuk mundem t’a ndjej, por mundem t’a identifikoj, sepse, me këtë marëveshje ç’kapet identiteti kulturor i maqedonasve nga konstrukcioni Shtet dhe këtë ç’kapje maqedonasit etnikë nuk duhen t’a kuptojnë si humbje, përkundrazi, duhen t’a përjetojnë si liri! E dyta, iu thash se kanë gabuar që nuk kanë ftuar shqiptarë në tribinë ; Ne kemi shumëçka t’ju mësojmë bashkëkombasve tanë mbi alfabetin dhe rritën e identitetit! Përjashtimi ose neglizhenca të themi nuk flet për kujdesin ndaj Tjetrit/ës. E ai/ajo që nuk kujdeset për Tjetrin/ën, si i/e vetëm/e, fashitet me kohë! Pastaj më kot kërkoni kujdes nga fqiu përderisa nuk respekton mjaftueshëm atë që keni në shtëpi! – “full stop”!
Hmmmm, pasoi një heshtje pas reagimit tim! Paj, çka tjetër mund të pasonte se ! Reagimi im ishte si në teatrin e Stanisllavskit! E quajnë, efekt i Stanisllavskit! Buummm, të shkallamit nga fokusi parësor, faaap të kthen në realitet! Masnej heshtja është aprovim, apo! Oh dhe saças, nga publiku ngritnë duar edhe shumë kolegë të mij! Ishin shqiptarë, kolegë të mij …me sa duket iu dhash zemër dhe secili nga ta foli me empati mbi çështjen e marrëveshjes me Greqinë! Dhe kështu tribina monoetnike, u shndrua në gjithetnike! Hej, a e sheh se sa pak duheshka! Fol…mos u koçit, dil nga lëkura e t’diskriminumit, ndjeje erotikën e paraqitjes tande t’sinqertë dhe fol…mos prit të të ftojnë!
Sot, tek po shkruaj këtë tekst, kuptoj se vetëeliminimi është një paranojë në fakt e se është një kategori mentale që është padiskutim rezultat i diskriminimit dhe mospranimit të gjatë. Ne shqiptarët edhe jemi vetëeliminuar… hmmm dhe kjo do shumë kohë për t’u sqaru se përse! Këtë kaptinë që e kena kalu deri më tani po e quaj: heshtje nga diskriminimi dhe mospranimi! Por, kaptina e re duhet të na gjejë të zëshëm e plot libido, pa asnjë fije doze korrektësie politike!
Biles duhet thënë se çdo gjë në këtë shtet, e ndjej njësoj si tjetri, për më shumë madje i jap edhe vulë ekzistencialiste! Të jesh politikisht korrekt është njësoj si ata “arkaikët” këshilltarë që punojnë te Kryeministri. Është një si tip filozofie “bythore” e trajtuar me përpikmëri nga “bythecët ideologjikë arkaikë”. Pastaj Donald Trump ka një fjalë gjigande mbi korrektësinë politike, thotë: “mendoj se problemin e madh që e ka vendi im është se gjatë kohë ka folur me gjuhën e korrektësisë politike . Kam qenë i sfiduar nga shumë njerëz e nga mendime të ndryshmë dhe të jem i sinqertë nuk kam kohë për plotësisht korrektësi politike. Dhe të jem i sinqertë me ju, as ky vend s’ka më kohë !”- full stop, again!
Sepse, do shtoja unë më pastaj, nuk ka një gjë të tillë si: luftë politikisht korrekte!
(Autorja është kolumniste e rregullt e gazetës KOHA)