Shkërmoqja e faktorit politik shqiptar në disa grupime njerëzish që duan të bëhen liderë provincash, e ka shndërruar milieun politik të shqiptarëve në teatër tribalësh me shfaqje feudale që të vret shijen publike prirja për t’u dukur grumbull buburrecash në fshat dhe atllarë të vetmuar në qytet
Nga Emin AZEMI
Çdo parti politike shqiptare në Maqedoni në nëndije e ka koalicionimin me LSDM-në, ose me VMRO-në pas zgjedhjeve, sepse vetëm kështu mendojnë të faktorizohen dhe të mbijetojnë në skenën politike. Por nëse i pyesni ato se me cilën parti shqiptare do të gjenin pika të përbashkëta për bashkëpunim, të gjitha i rrudhin krahët dhe hezitojnë të japin një mendim të prerë.
Përveç BDI-së, e cila ka qëndrime më të qarta sa i përket veprimit të mëtutjeshëm politik, partitë tjera shqiptare duken më të mjegullta dhe më të rezervuara në shprehjen e qëndrimeve të tyre sa i përket metodologjisë së veprimit të mëtutjeshëm politik. Ato i bën bashkë vetëm një gjë – dëshira për të ardhë në pushtet. Përtej kësaj dëshire nuk shihet në horizont ndonjë energji lëvizëse që do ta bënte veprimin politik opozitar pjesë e kauzave sociale, politike e ekonomike të njerëzve të pakënaqur të këtij vendi. Në vend se ti bëjnë bashkë këto kauza, ato ende po operojnë me një diskurs mosbesimi në mes veti, ndonëse puna nuk duhet të duket aq e pashpresë kur dihet se një koalicionim i tillë vetëm se ka ndodhë një herë para zgjedhjeve të fundit vendore.
Kështu si po rrjedhin gjërat, fitohet përshtypja se çdo njëra nga partitë opozitare shqiptare e projekton veten lidere të opozitarizmit këtu dhe mbi këtë ide ndërtohen narracionet për bashkëpunimet eventuale ndërpartiake. Sindromi i të qenit “lider opozite” dikund në një cep province, po del të jetë shumë i kushtueshëm si luks fëminor përballë betejave politike që janë disa herë më të rëndësishme se bajraktarizmi politik.
Përleshja e pakuptimtë politike në mes të partive shqiptare u jep favore partive maqedonase, sidomos LSDM-së, që të “kullos” më shlirë në “livadhin” elektoral të shqiptarëve. Madje kohët e fundit po punohet në këtë drejtim që të mos arrihet kompaktësia e votave të shqiptarëve, sepse kjo është mënyra më e mirë e penetrimit të partive maqedonase në terrenin politik shqiptar.
Me këtë arrihen dy efekte – e para partitë shqiptare paraqiten në sytë e votuesve si gjoja të padenja për t’i zgjidhur problemet e tyre dhe, e dyta – sigurohet një kontingjent votash të shqiptarëve që do të përdoren si gurë peshoreje në mes të partive politike maqedonase. Sepse, shikuar realisht asnjëra parti politike maqedonase, sidomos LSDM, nuk do të mund të sigurojë epërsi kundrejt rivalit të vet, pa votat e shqiptarëve.
Kjo logjikë tuxharësh që e ka shndërruar votën shqiptare në mall kontrabande, e ka devalvuar tejmase kuptimin e garës politike. Pakuptimësia bëhet edhe më e madh kur i sheh partitë shqiptare, sidomos ato që po luftojnë për të gjetur liderin opozitar, se si në mënyrë të tërthortë punojnë për kauzat maqedonase. Që nga Gligorovi e deri te këta fundit, nuk është shuar ëndrra maqedonase për fragmentimin e shqiptarëve në interesa personale, duke pamundësuar arritjen e kohezionit politik për interesa të përgjithshme. Shkërmoqja e faktorit politik shqiptar në disa grupime njerëzish që duan të bëhen liderë provincash, e ka shndërruar milieun politik të shqiptarëve në teatër tribalësh me shfaqje feudale, ku shijen publike e vret prirja për tu dukur grumbull buburrecash në fshat dhe atllarë të vetmuar në qytet. (koha.mk)