Rëndësi të madhe këtyre zgjedhjeve i kushtoi diplomacia shqiptare, e cila nëpërmjet konsullatës së saj në Shkup e mbështeti fuqishëm listën e Ferhat Dragës, si në pikëpamje politike po ashtu edhe në financa. Burimet e proveniencës policore jugosllave njoftonin për takimet e shpeshta të nëpunësit në konsullatën e Mbretërisë Shqiptare në Shkup, Rexhep Stableu, me krerët udhëheqës të listës opozitare, të cilat zakonisht zhvilloheshin në lokalet e “Bojali Hanit”
Nga Qerim LITA
(vijon nga numri i kaluar)
Pas skandalit të fundit në kreun e BFI-së së Maqedonisë, i cili tronditi thellë shpirtrat e besimtarit të devotshëm shqiptar-myslimanë, e pashë të arsyeshme që për lexuesit e gazetës shqiptare KOHA – Shkup dhe jo vetëm, në disa vazhdime të bëjmë një përshkrim kronologjik për pozitën dhe veprimtarinë e Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit midis dy luftërave botërore. Siç do të shihni, theks të veçantë u kam kushtuar zgjedhjeve të para të lira që kjo bashkësi i mbajti në vitin 1937 me çka në krye të saj erdhën atdhetarët e shquar kombëtar e fetarë shqiptarë, të cilët për tre vjet sa qëndruan në krye të asaj bashkësie, lanë gjurmë në historiografinë shqiptare. Besoj se ky punim studimor do të ndikoj tek popullsia shqiptare myslimane në përgjithësi, e te hoxhallarët në veçanti, që në krye të kësaj bashkësie të mos vijnë njerëz të korruptuar (siç janë tani), të pamoralshëm e të cilët si qëllim parësor nuk e kanë mbrojtjen e interesit të Islamit, por pasurimin e tyre personal. Kjo u pa në mbledhjen e fundit, ku ata të cilët e shkarkuan kryetarin e mëparshëm, deri dje ishin mbështetësit më të mëdhenj të të parit të tyre.
Më 6 mars të vitit 1937, NAIB-i, Fejzi Haxhiamziq, shpalli zgjedhjet e përgjithshme në hapësirën e Mexhlisit të Ulemasë në Shkup, të cilat u caktuan të mbahen me 30 maj të po atij viti. Në vendim shprehimisht thuhej: “Naib-i për Bashkësinë Fetare Islame në Shkup me këshilltarët e tij me vendimin nr. 866/37 nga 5 marsi 1937, e duke u bazuar në nenin 116 paragrafi II të Kushtetutës së Bashkësisë Fetare Islame të Mbretërisë jugosllave shpalli Zgjedhjet për mexhliset e xhemateve, prokurat e vakëfeve mearife të rretheve dhe të Kuvendit të Vakëfit Mearif në territorin e Mexhlisit të Ulemasë në Shkup. Zgjedhjet do të mbahen më datë 30 maj 1937 sipas dispozitave të Kushtetutës të Bashkësisë Fetare Islame të Mbretërisë Jugosllave”.
Për sa u tha më sipër, kuptojmë se secila palë e interesuar për të marrë pjesë në këto zgjedhje duhej të konkurronte me tre lista: listën e mexhlisit të xhematit, listën për prokurën e vakëfit mearif të rrethit dhe listën për Kuvendin e Vakëfit Mearif që përfshinte territorin e Mexhlistit të Ulemasë në Shkup. Sipas rregullores së hartuar më 13 prill 1937, listat garuese krahas anëtarëve duhej të përfshinin edhe zëvendësit e tyre, ndërsa të njëjtat ishin valide nëse paraprakisht ishte marrë pëlqimi me shkrim nga të gjithë anëtarët dhe zëvendësit e tyre, se “pranojnë të jenë kandidat në atë listë”.
Më 16 prill 1937, Komisioni Qendror për organizimin e zgjedhjeve, që njihej si “Këshilli Kryesor Zgjedhor” miratoi Rregulloren për mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të mexhlisit të xhematit, vakëfit mearif të rretheve dhe Kuvendit Mearif të Shkupit. Në të, fillimisht thuhej se “zgjedhjet janë të drejtpërdrejta, të përgjithshme, të barabarta e të fshehta”. Fshehtësia e zgjedhjeve, sipas Komisionit garantohej duke mundësuar që “votimi të realizohet me gjuajtjen e kokrrës së votimit në kutinë zgjedhore të mbyllur”. Të gjitha listat kandiduese në mënyrë të barabartë përfaqësoheshin në këshillat zgjedhore, nga shkalla më e ulët, përkatësisht mexhlisi i xhematit e deri te Këshilli Kryesor Zgjedhor. Për mirëvajtjen e zgjedhjeve ishin ngarkuar këshillat zgjedhore të rretheve, të cilat sipas Rregullores, duhej me kohë të siguronin numrin e nevojshëm të kutive e të kokrrave të votimit nga pushteti komunal, e të njëjtat duhej t’i shpërndanin një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve deri te këshillat zgjedhore të mexhliseve të xhematit. Përveç kësaj, këshillave zgjedhore të mexhliseve të xhematit u dorëzohej edhe lista zgjedhore, libri për votuesit e regjistruar, librin për udhëheqjen e procesverbaleve, listat kandiduese, vula e mexhlisit të xhematit etj. Është me interes të thuhet se secila listë kandiduese kishte kutinë e saj të votimit, ndërsa renditja e tyre bëhej sipas datës së miratimit të tyre nga ana e Gjyqit të Sheriatit. Votimi kryhej në atë mënyrë që në dhomën e votimit mund të hynin njëkohësisht më së shumti deri më 5 votues. Votuesi para këshillit votues obligohej zëshëm ta tregoj emrin, mbiemrin dhe profesionin, ndërsa nëpër qytete edhe adresën e vendbanimit, për shkak të identifikimit të tij. Sipas rregullores, përcaktohej edhe numri i anëtarëve dhe zëvendësve që duhej të zgjidheshin në çdo mexhlis të xhematit, e që ishte nga 5 deri më 9 anëtarë dhe po aq zëvendës, varësisht prej numrit të votuesve që numëronte një mexhlis, e që shkonte nga 300 deri më 1000 votues. Nëse në një mexhlis kishte më shumë se 600 votues, në to caktoheshin dy vendvotime. Zgjedhja e anëtarëve dhe zëvendësit e tyre bëhej sipas numrin të votave që do t’i fitonin listat kandiduese, në mënyrë proporcionale. Në atë mënyrë përcaktoheshin edhe anëtarët dhe zëvendësit e tyre të zgjedhur në prokurat e vakëfeve mearife të rretheve, si dhe të Kuvendit Mearif të Shkupit, i cili, siç u tha më sipër, numëronte gjithsej 27 anëtarë dhe po aq zëvendës anëtarë.
Në garën zgjedhore u paraqitën tre lista zgjedhore: lista që i printe Ferhat bej Draga, pas së cilës qëndronin atdhetarët shqiptarë si: Kadri Saliu, Shaban Efendiu, Sherif Voca, Zenel Strazimiri, Abdulla Veliu, Azem Latif Hoxha, Hasan Shukriu, hafëz Bedri Hamidi, hafëz Sherif Langu, Remzi ef. Abdullau etj. Kjo listë, ndryshe quhej “lista e parisë së atëhershme irredentiste shqiptare”. Listës së dytë i printe Fejzi Haxhihamziqi, i cili si kandidat u propozua nga mbështetësit e regjimit të Beogradit, shumicën e të cilëve po ky regjim i kishte vendosur nga Bosnja në Shkup, me detyrë speciale që të zhvillonin propagandë antishqiptare për turqizmin e tyre. Krahas kësaj klike, Haxhiamziqi pati përkrahje edhe nga disa ulema e politikan shqiptarë, si: Sait Hoxha nga Shkupi ish-deputet në Parlamentin e Perandorisë Osmane, Mustafa Dërguti, Talat Efendiu – myfti në Myftininë e Manastirit, Ismail Qemal Beu nga Manastiri, Haxhi Mehmet Abdullau nga Shkupi, Ismet Efendiu – myfti në Myftininë e Prizrenit etj., si dhe lista e Ataullah efendi Kurtishit dhe Mulla Idriz Gjilanit, dy ulema të njohur në këto treva e më gjerë, të cilët pas zgjedhjeve do t’u bashkëngjiten grupit të Ferhat Dragës.
Është me rëndësi të thuhet se rreshtimi i Sait Hoxhës përkrah grupit proqeveritar dëmtoi shumë krahun opozitar shqiptar, ku më poshtë do të shohim se një pjesë e madhe e popullsisë shqiptare myslimane, sidomos në Shkup, Tetovë e Preshevë, votoi listën proqeveritare vetëm për shkak ndikimit të tij. Pa marrë parasysh se një vendim i tillë iu imponua Sait Hoxhës (është i njohur konflikti politik i tij me familjen Draga, që në kohën e Perandorisë Osmane, ndërsa më vonë ai ra në kundërshtim edhe me Ataullah ef Kurtishin), ishte i gabuar dhe shumë i dëmshëm për politikën kombëtare e fetare shqiptare.
Për sa u pa më sipër, mund të thuhet se sistemi zgjedhor në Bashkësinë Islame, formalisht mundësonte zgjedhje të “fshehta”, mirëpo siç do të shohim, pushteti serbomadh tentoi që me çdo kusht ta pengojë fitoren e krahut shqiptar. Përkundër këtij fakti, paria intelektuale e atdhetare shqiptare u kushtoi një rëndësi të madhe këtyre zgjedhjeve, e cila në mënyrë të hapur kërkonte nga popullsia myslimane në përgjithësi e në veçanti nga shqiptarët, që të votojnë listën opozitare, të cilës i printe Ferhat bej Draga, duke u premtuar atyre, se nëse i fitojnë zgjedhjet: “do të angazhohen fuqishëm në ruajtjen e autonomisë së këtij institucioni fetarë”.
Rëndësi të madhe këtyre zgjedhjeve i kushtoi diplomacia shqiptare, e cila nëpërmjet konsullatës së saj në Shkup e mbështeti fuqishëm listën e Ferhat Dragës, si në pikëpamje politike po ashtu edhe në financa. Burimet e proveniencës policore jugosllave njoftonin për takimet e shpeshta të nëpunësit në konsullatën e Mbretërisë Shqiptare në Shkup, Rexhep Stableu, me krerët udhëheqës të listës opozitare, të cilat zakonisht zhvilloheshin në lokalet e “Bojali Hanit”. Njëri ndër pronarët e Bojali Hanit, Feta Mehmeti, i pyetur nga organet e hetuesisë rreth rolit të Rexhepit në atë fushatë, veç tjerash thotë: “Kur ishin zgjedhjet, konsulli shqiptar u shpërndante të holla personaliteteve me ndikim, me qëllim që votat e shqiptarëve t’u jepen njerëzve të cilët punonin për çështjen shqiptare…”. Gjithnjë duke u mbështetur në të dhënat sekrete të UDB-ës, provohet se aktiviteti i konsullit shqiptar, nuk përqendrohej vetëm në lokalitetet e Bojali Hanit, përkundrazi, me qëllim të krijimit të një fryme të re kombëtare, ai u lidh me nxënësit e Medresesë Gazi Isa Beu dhe nëpërmjet tyre “shpërndanë materiale ilegale”, për çka: “gjithmonë do ta përcjellë policia”.
Ashtu siç ishte paraparë, më 30 maj 1930, u mbajtën votimet në mbarë hapësirën e Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit. Organizimi i tyre u krye nëpër objektet e mexhliseve të xhematit, si xhamitë, mejtepet etj, ndërsa në ato mexhlise ku mungonin objektet e tilla ose të njëjtat nuk i plotësonin kushtet për mirëvajtjen e votimit, me kërkesë të Naibi-it, administrata e atëhershme e Banit mundësoi që votimet të organizohen nëpër shkolla e objekte tjera shtetërore. (vijon në numrin e ardhshëm)