Tri gra shqiptare synojnë ulëse në Parlamentin Austriak (FOTO)

Për njërën nga 183 ulëset në Parlamentin e Austrisë synojnë edhe tri kandidate shqiptare. Drita Cacaj dhe Ina Rexhepi nga ÖVP (Partia Popullore e Austrisë) si dhe Serafina Demaku nga partia SPÖ (Partia Socialdemokrate e Austrisë)

Austriakët do t’u drejtohen qendrave të votimit të dielën, me  29 shtator për të vendosur për përbërjen e parlamentit të ri. Në këto zgjedhje të cilat mbahen të parakohshme, të drejtë vote kanë edhe shqiptarët me nënshtetësi austriake e të cilët përbëjnë më shumë se gjysmën e gjithë shqiptarëve që jetojnë në Austri. Për njërën nga 183 ulëset në Parlamentin e Austrisë synojnë edhe tri kandidate shqiptare. Drita Cacaj dhe Ina Rexhepi nga ÖVP (Partia Popullore e Austrisë) si dhe Serafina Demaku nga partia SPÖ (Partia Socialdemokrate e Austrisë).

DRITA CACAJ: NËSE NUK DILNI NË VOTIME, MOS U ANKONI PASTAJ!

Kandidatet shqiptare kanë ftuar bashkëkombësit e tyre që të shfrytëzojnë të drejtën dhe të votojnë kandidatët shqiptarë, që për herë të parë të bëhen pjesë e Parlamentit Austriak.

Kandidatja e ÖVP-së Drita Cacaj e cila garon në listën e kandidatëve për Vjenë, ka thënë se ata që nuk dalin në votime nuk duhet pastaj të ankohen. “Shqiptarët në Austri fatkeqësisht janë komuniteti që më së paku dalin në zgjedhje. Ne duhet të jemi të integruar në secilën sferë të jetës në Austri dhe duhet të jemi faktorë edhe në jetën politike të Austrisë. Në rast se ne nuk përkrahim njëri –  tjetrin nuk mund të forcohemi si komunitet. Ne ankohemi tërë kohën kurse nuk jemi në gjendje një ditë të dalim dhe të votojmë për të ndryshuar gjendjen dhe për të kërkuar të drejtat që na takojnë”, ka thënë për albinfo.ch, kandidatja Drita Cacaj e cila theksoi se të gjithë ata që kanë nënshtetësi austriake e kanë për obligim moral dhe ligjor për të votuar.

Zonja Cacaj e cila është aktive prej vitesh në partinë ÖVP në Austri, është shprehur se me zgjedhjen e saj si deputete, ajo do të jetë zë i shqiptarëve në Parlamentin Austriak. “Vota juaj do të jetë përgjegjësi për mua që të ju përfaqësoj në mënyrën më të denjë njerëzore dhe profesionale. Si shqiptarë që jetojmë në Austri duhet të jemi të përfaqësuar dhe të integruar si të gjitha nacionalitetet tjera pa dallim”, ka thënë Drita, e cila ndër prioritet e saj kryesore ka edhe integrimin më të mirë të femrës shqiptare në jetën sociale në Austri.

SERAFINA DEMAKU ANGAZHOHET PËR MBROJTJEN E KLIMËS DHE TRANSPORT PUBLIK FALAS

Në anën tjetër, nga radhët e partisë SPÖ, kandidon 23 vjeçarja shqiptare, Serafina Demaku. Ajo është e lindur në Baden të Austrisë, kurse me prejardhje është nga Arbria e Drenicës. Serafina ka qenë e angazhuar në organizata joqeveritare për çështjen e migracionit. Në vitin 2015 hyn në udhëheqjen e të Rinjve Socialistë të Austrisë, ku deri në maj të vitit 2017, mban edhe pozitën e Sekretares së të Rinjve Socialistë të Austrisë. Ajo kishte kandiduar edhe në zgjedhjet e kaluara nga po e njëjta parti.

Albinfo.ch ka provuar të marrë edhe një prononcim nga Serafina Demaku, por fatkeqësisht nuk ka arritur ta kontaktojë. Megjithatë, Serafina në faqen e saj në “Facebook” tregon arsyet e kandidimit të saj për deputete. “Unë kandidoj për zgjedhjet parlamentare 2019 për një politikë që e merr seriozisht mbrojtjen e klimës dhe angazhohet për një transport publik falas. Një politikë që angazhohet për një sistem ekonomik, ku njerëzit dhe mjedisi vlejnë më shumë se paratë dhe përfitimet. Për një politikë që krijon strehim të përballueshëm për të gjithë.

Zgjedhjet parlamentare në Austri janë zgjedhje të parakohshme. Ato u bënë të domosdoshme pas publikimit të skandalit “Ibiza” të liderit djathtist, Heinz Christian Strache, i cili në video incizime dëgjohej teksa u premtonte oligarkëve rusë favore nga paratë e taksapaguesve austriakë, nëse ata e ndihmojnë gjatë zgjedhjeve të vitit 2017.

INA REXHEPI: NËSE DËSHIROJMË NDRYSHIME, ATËHERË VOTONI DHE BËHUNI PJESË E NDRYSHIMEVE

Në listat për deputetë të partisë së kandidatit për kancelar, Sebastian Kurz (ÖVP) gjendet edhe Ina Rexhepi. Ajo është 36 vjeçare, e lindur në Prizren ndërsa së bashku me bashkëshortin dhe dy fëmijët jeton në Wels të Austrisë. Bashkë me familjen e saj udhëheqin një kompani të suksesshme të dizajnit. Ina prej shtatë vitesh është anëtare e Partisë Popullore të Austrisë. “Pas relativisht pak kohësh që u bëra pjesë e partisë, u njoha me Sebastian Kurz. Ai më emëroi si ambasadore të integrimit për projektin “Zusammen Österreich” kështu që u bëra më aktive në politikë”, tregon Ina për “albinfo.ch”, për fillimet e aktiviteteve politike në Austri.

Sipas saj, Partia Popullore në Austri është partia që i trajton dhe ju jep mundësi shqiptarëve më së shumti, kjo falë raportëve të mira që tradicionalisht ka kjo parti me shqiptarët e deri te kancelari në ardhje Sebastian Kurz. “Për Partinë Popullore në Austri vlerësohet suksesi dhe jo origjina. ÖVP si prioritete i ka temat si: dixhitalizimi, ndryshimi i Klimës, forcimi i Evropës, pra, janë të gjitha tema që ndikojnë gjithashtu në gjeneratën tonë të ardhshme”. Ina, kërkon nga shqiptarët që të dalin të votojnë sepse me votën e tyre do të ndryshojë pozitivisht gjendja e tyre. “Secili kërkon një jetë më të mirë për vete, për familjen dhe fëmijët e tij. Nëse dëshirojmë të bëjmë ndryshim, atëherë duhet të votojmë, sepse vetëm duke votuar mund të bëhemi pjesë e ndryshimit”, ka thënë Ina.