Laura PAPRANIKU
Shkup, 17 nëntor – Shumë pak nxënës regjistrojnë arsimin e mesëm tre vjeçar në Maqedoni, pavarësisht forcimit të politikave për një arsim të orientuar sipas kërkesave të tregut. E shpjeguar në bazë të mundësive që jep niveli i arsimit të mesëm, arsimi profesional trevjeçar nënkupton aftësimin e kuadrove që duhet të absorbohen nga tregu i punës, shkruan gazeta KOHA. Mirëpo, shkollat e zanatit, sikurse quhen ndryshe drejtimet e arsimit të mesëm profesional trevjeçar, nuk janë edhe aq të lakmueshme te ne. Njëlloj si në arsimin e lartë, ku viteve të fundit ka një tendencë në rritje të riregjistrimit të studimeve katër vjeçare (me 240 ECTS) pasi kandidatët të kenë kryer studimet tre vjeçare (me 180 ECTS), edhe në arsimin e mesëm, nxënësit jo çdo herë mjaftohen me diploma të mesme trevjeçare. Shkollimi i mesëm trevjeçar, edhe ashtu nuk përbën pjesë të konsiderueshme të arsimit të mesëm në përgjithësi dhe as të arsimit profesional në veçanti.
Sipas të dhënave të Ministrisë të Arsimit dhe Shkencës (MASH), ky lloj shkollimi përbën vetëm 4 për qind të shkollimit të mesëm në Maqedoni. Në vitin shkollor 2016/2017, numri i nxënësve në arsimin e mesëm profesional trevjeçar, nuk ishte më i lartë se 3053 nxënës dhe që është vetëm 4.1 për qind e numrit të përgjithshëm të nxënësve në arsimin e mesëm të po atij viti. Konkretisht, vitin e kaluar shkollor në të gjitha shkollat e mesme ishin përfshirë 74.684 nxënës, prej të cilëve 30.638 në arsimin e gjimnazit dhe 44.046 nxënës në arsimin e mesëm profesional. Prej këtyre të fundit, vetëm 3053 ishin të përfshirë në drejtimet profesionale trevjeçare, ndërsa 41.011 në arsimin e mesëm profesional katërvjeçar. Pra, edhe po ta krahasojmë numrin e atyre që vijojnë arsimin profesional trevjeçar në kuadër të arsimit profesional në përgjithësi, vërehet lehtë se shkollimi në kohëzgjatja tre vjeçare, nuk përbën ndonjë përqindje kushedi sa të lartë. Konkretisht, në këtë kuadër arsimi i mesëm profesional tre vjeçar përben vetëm 6.9 për qind të arsimit profesional në përgjithësi, ndërsa në kuadër të komplet arsimit të mesëm përbën vetëm 4.1 për qind. Ajo që bie në sy, është numri i atyre që vijojnë shkollimin e mesëm edhe pasi të kenë marrë diplomat e arsimit të mesëm profesional trevjeçar. Vitin që shkoi, në Maqedoni ishin 1049 nxënës të kësaj kategorie që zyrtarisht evidentohet si niveli i pas-mesëm arsimor.
E krahasuar me numrin në përgjithësi të atyre që janë në arsimin e mesëm, numri prej 1049 nxënës edhe mund të mos përbën përqindje të lartë, mirëpo në krahasim me numrin e atyre që janë në arsimin e mesëm profesional trevjeçar, ky numër përbën kategori të konsiderueshëm nxënësish. Do të thotë nëse në vitin shkollor 2016/2017 kishim 3053 nxënës në nivelin e arsimit të mesëm profesional trevjeçar, në nivelin e pas-mesëm arsimor kishim 1049 nxënës, pra sa një e treta e tyre. Këto të dhëna janë tregues të qartë të asaj se një numër i konsiderueshëm njerëzish në Maqedoni, nuk mund ta gjejnë veten në tregun e punës me kualifikimet e mesme të arsimit profesional tre vjeçar. Prandaj, shumë prej tyre synojnë të plotësojnë shkallën e arsimit të mesëm edhe me një vit tjetër, i cili do t’ju sigurojë diplomë të plotë të arsimit të mesëm katërvjeçar. Nuk ka të dhëna se sa për qind e tyre mund të vijojnë më tej shkallën e arsimimit, respektivisht të regjistrohen në fakultet. Mirëpo, për secilin që e synon studime universitare, e ka të hapur këtë mundësi pasi të ketë kryer arsimin e mesëm katërvjeçar, drejtimet gjimnaz apo drejtimet profesionale. (koha.mk)