Shkup, 26 prill – – Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska, do të qëndrojë për një vizitë disaditore në ShBA. Takimi më 1 maj me sekretarin amerikan të mbrojtjes, Xhejms Matis, paraqet njëkohësisht edhe takimin e parë zyrtar të një ministri të mbrojtjes nga Maqedonia, pas shumë vitesh.
Vizita realizohet në prag të samitit të NATO-s që mbahet në korrik në Bruksel. Për Sheqerinskën, vizita është një mundësi e mirë për të treguar se sa i rëndësishëm është për Maqedoninë anëtarësimi në NATO, njofton TVM2.
“Në dhjetë muajt e kaluar, punuam çdo ditë që të kthejmë besimin e qytetarëve të Maqedonisë në shtetin e tyre. Por, gjithashtu, edhe të kthejmë besimin që partnerët ndërkombëtarë kanë në Republikën e Maqedonisë. Treguam se fjala e dhënë mbahet dhe ajo që Maqedonia ka paralajmëruar, ajo që po ndërmerr dhe premton, përmbushet. Kjo është një mundësi për të treguar se Maqedonia meriton të jetë anëtare e NATO-s”, deklaroi ministrja e mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska.