Laura PAPRANIKU
Shkup, 30 mars – Numri i madh i të papunëve që kanë nivele të larta arsimimi si dhe pritjet e gjata për sigurimin e vendit të punës, padyshim se janë rezultat i një sërë faktorëve në shoqëri, shkruan gazeta KOHA. Mirëpo, një prej arsyeve të pakontestueshme ka të bëjë me mospërputhjen e orientimit të institucioneve të arsimit të lartë, respektivisht caktimit të kuotave të studimeve sipas sferave të veçanta, me nevojën dhe kërkesën e tregut të punës. Për këtë arsye, ndodh që pjesa dërmuese e atyre që kryejnë fakultet të mos e gjejnë veten në tregun e punës. E thënë ndryshe, tregu i punës nuk ka aq kapacitet sa të pranojë të gjithë juristët, ekonomistët, pedagogët, filologët dhe administratorët e diplomuar. Madje, as kur ata magjistrojnë, ndonjëherë edhe doktorojnë, nuk mund të gjejnë një vend pune, pasi tregu është i tejngopur me kuadro të fakulteteve të shkencave shoqërore dhe humane.
Koha e pritjes së punësimit në Maqedoni është mesatarisht nga 3 deri 5 vjet, ndërsa janë pikërisht të diplomuarit e fakulteteve pedagogjike, filologjike, filozofike dhe juridike që e kanë më vështirë ta gjejnë veten në tregun e punës. Madje, të dhënat zyrtare tregojnë se aktualisht peshën më të madhe të kualifikimeve konform tregut të punës e mbajnë shkollat e mesme profesionale. Sipas analizave përkatëse, me të cilat shërbehet Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), për qëllim të përgatitjes së programeve dhe strategjive në arsim, 53 për qind e vendeve të reja të punës janë të lidhura me arsimin e mesëm profesional, kurse 34 për qind me nivele më të ulëta shkollim. Në dokumentin e Strategjisë Gjithëpërfshirëse Arsimore (2017-2020), thuhet se 87 për qind e pritjeve për kualifikimet sipas kërkesave të tregut të punës, janë me arsimin para universitar. Pra, vetëm 13 për qind e vendeve të punës, bazuar në të njëjtat pritje, do të jenë kualifikime me arsim universitar. Gjithashtu, pjesa më e madhe e vende të punës, edhe atë 40 për qind, do të krijohen nga industria përpunuese, thuhet në dokumentin e kësaj Strategjie.
Vendin e dytë sipas të njëjtave pritje e mban tregtia me masën prej 9 për qind të vendeve të ardhshme të punës, bazuar në pritjet e tregut të punës. Sipas shkallës së kualifikimit – arsimimit, 62 për qind e vendeve të punës në këta dy degë të ekonomisë (industrinë përpunuese dhe tregtinë), do të jenë me arsim të mesëm profesional, kurse 10 për qind për kualifikime me arsim të lartë. Vendet e mbetura, 28 për qind, në po këta dy degë, do të jenë për kualifikime me shkallë më të ulët të arsimimit.
Nisur nga këto parametra, arsimi i mesëm profesional do të merr një peshë të veçantë, pasi do të kualifikojë kuadro të cilët do të mund ta gjejnë shumë më lehtë veten në tregun e punës. Në Sektorin për arsim të mesëm të MASH-it, shpjegojnë se edhe ashtu arsimi profesional ka zënë një vend të posaçëm në politikat arsimore. Numri më i madh i paraleleve dhe vendeve për regjistrimin e nxënësve në arsimin e mesëm janë për shkollimin profesional. Aktualisht, këtu janë të përfshirë rreth 60 për qind e nxënësve të arsimit të mesëm. Konkretisht, 49 484 nxënës nga 82 473 gjithsej. Me gjithë mundësinë që shkollimi profesional të mund të zgjasë edhe tre vjet përpos katër, përsëri nuk është shumë i lartë numri i nxënësve me arsim të mesëm profesional tre vjeçar. Në vitin shkollor 2014/2015 vetëm 31 86 nxënës (6.3 për qind e nxënësve me arsim profesional apo 3.8 për qind e atyre që ishin përfshirë në arsimin e mesëm), ishin të regjistruar në drejtime tre vjeçare të arsimit të mesëm. Por, pavarësisht të gjithave tendenca e nxënësve është të arrijnë nivele më të larat shkollimi, pasi kualifikimet përkatëse janë edhe më s mirë të paguara. Për t’u regjistruar në fakultet, duhet të kesh kryer patjetër arsim të mesëm katërvjeçar dhe pas mbarimit të studimeve të shkallës së parë meqë janë të papunë, një pjesë e mirë e të rinjve kryejnë edhe nivelin e dytë të studimeve, konkretisht shkallën e magjistraturës.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara