Tregu i shumicës ende jofunksional

“Në këtë treg ishte destinuar të bëhet shitja me shumicë, ndërsa kapaciteti ishte paraparë për 40 automjete më të mëdha. Hapësira është rreth 3000 metra katrorë, e cila ende nuk është funksionale shkaku se nuk ka të interesuar”, thonë nga NPK-ja e Tetovës

Urim HASIPI

Tetovë, 24 maj – Në fillim të vitit 2014, në Tetovë u rregullua një hapësirë për treg të ri. Pikërisht afër stacionit të autobusëve dhe stacionit hekurudhor në qytetin e Tetovës. Por që atëherë e këndej kjo pjesë nuk është vënë në funksion për qëllimin që kishte. Ka ngelur ende kjo hapësirë që nuk shfrytëzohet dhe nuk është rregulluar për atë destinim që ishte rregulluar para katër vitesh. Sot e kësaj dite, ky vend i destinuar për treg nuk po gjen mënyrën për të qenë një treg për ata që dëshirojnë që të shesin me shumicë prodhimet e tyre, shkruan gazeta KOHA. Edhe pse kanë kaluar katër vite, megjithatë i njëjti nuk përdoret nga shitësit.
Në rrugët e Tetovës gjithandej vërehen shitës në trotuare, kurse më shumë i vëren përgjatë rrugës për tek Qendra sportive, të cilët me kamion dhe traktorë uzurpojnë hapësirat publike.
Edhe pse disa herë të njëjtit gjobiten nga ana e policisë, megjithatë sërish ata qëndrojnë në atë vend edhe pse tregu ekziston afër aty. Kryesisht këta shitës qëndrojnë në rrugën për tek Qendra sportive dhe në bulevardin “Bllagoja Toska”, po kohëve të fundit vërehen edhe në bulevardin e Ilindenit.
“Fillimisht ishin rezervuar vetëm 15 vende për shitje. Por edhe ato nuk filluan asnjëherë, duke parë mos interesimin e tjerëve. Në këtë treg ishte destinuar të bëhet shitja me shumicë, ndërsa kapaciteti ishte paraparë për 40 automjete më të mëdha. Hapësira është rreth 3000 metra katrorë, e cila ende nuk është funksionale shkaku se nuk ka të interesuar”, thonë nga NPK-ja e Tetovës. Nga kjo ndërmarrje bëjnë të ditur se në këtë periudhë, gjithnjë më shumë ka shitës të tillë të cilët nuk shfrytëzojnë tregun.
Tash katër vite që nga inicimi i rregullimit të tregut me shumicë, megjithatë kjo iniciativë e ndërmarrjes dështoi ose thënë ndryshe nuk funksionoi për arsye se tregtarët, shitësit ambulant nuk shprehën gatishmëri që veprimtarinë e tyre tregtare ta kryejnë në këtë hapësirë edhe përkundër një shumë simbolike prej 100 denarësh në ditë – shumë kjo që tregtarët duhej të paguanin për të zhvilluar veprimtarinë e tyre tregtare. Pas disa vitesh, Ndërmarrja Publike Komunale Tetova – Tetovë ju bëri një ofertë tjetër shitësve ambulant për tu futur në hapësirat e tregut të gjelbër, ku 6 muaj pa pagesë do të mund të kryenin veprimtarinë e tyre tregtare, megjithatë as kësaj oferte të ndërmarrjes shitësit ambulant nuk iu përgjigjën pozitivisht dhe vazhdojnë të shesin produktet e tyre në hapësira publike, si në trotoare përfeth tregut të gjelbërt, thonë nga ndërmarrja publike komunale e Tetovës.
Krahas kësaj, policia disa herë i ka larguar shitësit ambulant përreth tregut, por edhe ata nuk kanë vende adekuate dhe të përshtatshme, prandaj edhe disa herë kanë shprehur revoltën e tyre për një mungesë të vendit adekuat, ku ata do të mund të shitnin prodhimet e tyre, sidomos bujqit tetovarë.
Nga policia e Tetovës theksuan se ndaj këtyre personave shpeshherë është janë shqiptuar dënime, por të njëjtit vijojnë të ushtrojnë veprimtarinë e tyre në trotuare. Bëhet e ditur se gjobat ndaj këtyre shitësve arrijnë deri në 300 euro. Ndryshe, ideja për një treg për shitje me shumicë në Tetovë, sipas drejtuesve të NPK-së, ishte se deri më tash – prodhimet e ndryshme me shumicë janë shitur nëpër trotuare dhe kanë penguar edhe lëvizjen e lirë të qytetarëve. (koha.mk)