Sektorit i ndërtimtarisë është drejtpërdrejt i lidhur me sektorët që të parët ishin të goditur nga kriza e pandemisë si transporti dhe hoteleria. Tek kompanitë ndërtimore ekziston frikë nga humbjet financiare për shkak të problemeve me pagesën dhe obligimeve financiare të kompanive
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 5 gusht – Tregu i patundshmërive në Maqedoninë e Veriut karakterizohet me ofertë të madhe të banesave për shitje dhe ngadalësim të shitblerjeve të banesave. Si duket kriza shëndetësore e virusit korona dhe paqartësitë që ka shkaktuar për zhvillimet ekonomike deri në fund të vitit, kanë dobësuar interesimin e blerësve për banesa. Uljen e tregut të paluajtshëm e konfirmojnë edhe të dhënat e Kadastrës sipas të cilave në tërë territorin e Maqedonisë së Veriut, në periudhën prill-qershor janë shitur 681 banesa të reja , që është për 38 banesa më pak se në tremujorin e parë të këtij viti. Gjithnjë sipas statistikës së Agjencisë së Kadastrës për patundshmëri deri në fund të muajit qershor, në tërë vendin ka 6.436 banesa që janë ndërtuar, ndërsa koma nuk janë shitur dhe ofrohen në treg.
E shprehur në të holla kjo do të thotë se në tremujorin e parë janë shitur 151 milionë euro patundshmëri të ndryshme si toka, banesa, zyra…, ndërsa tre muaj më vonë qarkullimi shënon rënie për 30 milionë euro. Shitja vetëm e banesave shënon ulje nga 82 në 67 milionë euro prej fundit të muajit mars deri në fund të muajit qershor. Edhe planet për ndërtimin e banesave të reja sikur janë ngadalësuar nga ana e kompanive privat dhe investitorëve individual. Këtë e tregojnë edhe ulja për 30 për qind e lejeve për ndërtim në muajt prill dhe maj në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Apo thënë ndryshe, në muajt prill dhe maj janë lëshuar 161 dhe 173 leje. E shprehur në të holla kjo nënkupton se sipas lejeve të ndërtimit të muajit maj të këtij viti, vlera e parashikuar e objekteve është 1 559 061 mijë denarë apo 60 për qind më pak se në muajin maj të vitit të kaluar.
Edhe në muajin prill shënohet ulje e vlerës së ndërtimit të objekteve për 30 për qind në raport me muajin prill të vitit të kaluar apo do të harxhohen më pak 3 657 228 mijë denarë për ndërtim.
Njëherazi të dhënat e Bankës Popullore tregojnë se në tremujorin e parë të këtij viti po shënohet rritje e çmimit prej 0.4 për qind së banesave në raport me tremujorin e fundit të vitit 2019.
Gjithashtu të dhënat krahasuese të Kadastrës tregojnë luhatje apo edhe rritje të butë të çmimeve mesatare të shitblerjes së banesave, prej fundit të muajit mars të vitit 2019 deri në fund muajit qershor të këtij viti.
Në fund të mars të vitit 2019 në mesatare një metër katror i banesës në komunën Qendër është paguar 60.808 denarë, në komunën e Karposhit është paguar 57.835 denarë dhe në komunën e Aerodromit është paguar 52.877 denarë për një metër katror. Gjithashtu në fund të marsit të vitit të kaluar në mesatar një metër katror i banesës është shitur për 43.221 denarë, në Strugë është shitur për 29.522 denarë, në Manastir është shitur për 36.947 denarë, në Strumicë është shitur për 31.046 denarë, në Kumanovë është shitur për 30.438 denarë dhe në Shtip është shitur për 28.929 denarë. Nga ana tjetër, të dhënat e Kadastrës më tej tregojnë se çmimi mesatar i banesave në total në tërë vendin në periudhën prill-qershor apo në fund të muajit qershor të vitit 2020, më së shumti e ngrenë banesat që shiten në tre komunat e Shkupit. Në komunën e Qendrës në periudhën prill-qershor, kostoja e një metër katror për shitblerjen e banesës ka qenë 62.778 denarë apo pak më shumë se 1000 euro, në komunën e Karposhit çmimi ka arritur në 58.061 denarë apo afër 950 euro dhe në komunën e Aerodromit çmimi ka arritur në 55.513 denarë apo afër 900 euro në mesatare. Nga ana tjetër në Ohër në mesatar banesat po shiten për 43.772 denarë për një metër katror, në Strugë çmimet arrijnë 31.870 denarë për metër katror, në Manastir arrijnë 37.638 denarë, në Shtip arrijnë 34.103 denarë, në Strumicë arrijnë 29.010 denarë dhe në Kumanovë arrijnë 28.255 denarë për një metër katror.
Kohë më parë nga Oda e Ndërtimtarëve pranë Odës ekonomike të Maqedonisë kanë theksuar se kushtet e punës së tyre janë të ndërlikuara. “Tek kompanitë ndërtimore ekziston frikë nga humbjet financiare për shkak të problemeve me pagesën dhe obligimeve financiare të kompanive. Ekziston edhe frikë se çka do të ndodh me projektet rrjedhëse, por edhe me projektet e reja, si dhe me pagesën e punëtorëve”, thonë ndërtimtarët. Ato shtojnë se sektorit i ndërtimtarisë është drejtpërdrejt i lidhur me sektorët që të parët ishin të goditur nga kriza e pandemisë si transporti dhe hoteleria, ndërsa puna dhe gjendja e tyre po pasqyrohet edhe në punën e përditshme të kompanive ndërtimore. Sfidë për ndërtimtarinë në të ardhmen do të jetë edhe miratimi i Kodeve evropiane që do të zëvendësojnë standardet e ndërtimit nga ish Jugosllavia që sidomos trajtojnë fushat e rrezikut të dëmtimeve nga tërmeti thonë ndërtimtarët.
Ndërtimtarët thonë se një problem tjetër që kërkon zgjidhje është edhe miratimi i një ligji më liberal të punësimit , në favor të rregullimit më të mirë të tregut të punës sidomos në ndërtimtari së bashku me Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale. Ndërtimtarët presin që ndryshimet e reja ligjore në punësim të rregullojnë më shumë çështje si kushtet më fleksibile për punësim, pagesa e orëve shtesë të punës, llojeve të marrëdhënies së punës e kështu me radhë.
Ndryshe, pjesëmarrja e vlerës së shtuar të ndërtimtarisë në strukturën e Prodhimit të Brendshëm Bruto në dhjetë vitet e kaluar lëvizte ndërmjet 5 deri 7 për qind, apo nga 500 deri 700 milionë euro. Në vitin 2018 në ndërtimtari ka pasur 4938 kompani me mbi 56 mijë të punësuar. (koha.mk)