Përshpejtimi i rrugës euroatlantike të Maqedonisë pritet të gjallërojë edhe shfrytëzimin e aksioneve dhe obligacioneve si një nga burimet kryesore të financimit të punës së bizneseve në shtet, së bashku me kreditë që lëshohen nga bankat
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 3 tetor – Maqedonia si shtet i vogël me një sistem tradicional financiar ku bankat dominojnë në sistemin financiar, ende nuk e ka të zhvilluar sa duhet tregtinë e letrave afatgjate me vlerë. Kjo vjen edhe si rrjedhojë e mungesës së investitorë të huaj të shkaktuar si rrjedhojë e krizës politike në të kaluarën, shkruan gazeta KOHA.
Përshpejtimi i rrugës euroatlantike të Maqedonisë pritet të gjallërojë edhe shfrytëzimin e aksioneve dhe obligacioneve si një nga burimet kryesore të financimit të punës së bizneseve në shtet, së bashku me kreditë që lëshohen nga bankat. Kjo nënkupton se do të ketë rritje të interesimit si nga investitorë të huaj ashtu edhe vendor për shitblerjen e aksioneve të kompanive që punojnë në tregun vendor të kapitalit. Nga Komisioni i Letrave me Vlerë që si organ rregullator mbikëqyr punën e Bursës së Maqedonisë thonë se tregut të kapitalit në Maqedoni i nevojitet një menaxhim më i mirë korporativ si dhe përkrahje e fuqishme institucionale që të ec rrugës së përvojave të suksesshme perëndimore.
Sipas numrit një të Komisionit të Letrave me vlerë, Nora Aliti, paqartësia politike apo pasiguria sidomos në vitet 2015 dhe 2016 patjetër se kanë ndikuar negativisht në tregun e kapitalit . Njëherazi besimi i investitorëve paraqet një faktor kyç në dinamikën e tregtisë së letrave me vlerë. Në vitin 2017 me stabilizimin e situatës politike tregu ka reaguar pozitivisht , ku në gjashtë muajt e parë të këtij viti shënohen rezultate më të mira në raport me tremujorin e tretë si rrjedhojë e paqartësisë që ndërlidhet me referendumin . Megjithatë në total ky vit pritet të jetë një ndër vitet me rezultate më të mira të tregut të kapitalit në këtë dhjetëvjeçar.
“ Zhvillimi më i madh I tregut të letrave me vlerë kërkon stabilitet më të madh politik dhe siguri juridike, ndërsa më vonë vijnë kushtet e tjera. Këto gjëra më lehtë do të sigurohen përmes hyrjes në NATO dhe BE. Në këtë mënyrë investitorët vendor dhe të huaj do të kenë garanci se kapitali i tyre në Maqedoni është i sigurt. Pa këto arritje, të gjitha angazhimet lidhur me tregun e kapitalit, nuk do të japin efektin e dëshiruar”, thekson Aliti.
Sipas saj, kompanitë në vend akoma në mënyrë të pamjaftueshme vendosin që të shfrytëzojnë tregun e kapitalit si mënyrë relativisht e lehtë, dhe e lirë që të sigurojnë kapital të freskët për financimin e projekteve të tyre.
Krahas angazhimeve të mëparshme nga ana e Komisionit të letrave me vlerë , në drejtim të rezultateve më të mira në tregun e letrave me vlerë në të ardhmen do të ndërmerren më shumë hapa të tjerë siç janë mbështetja dhe përkrahja e targetuar për shoqëri të caktuara që në mënyrë analitike do t’ju ndihmohet të inkuadrohen në tregun e kapitalit. Veç më janë detektuar biznese me prodhime apo shërbime të caktuara që janë të njohura në opinion për të cilat supozohet se ka interes nga ana e investitorëve.
Njëherazi, viti 2019 do të shpallet “viti i IPO”.Me fjalë të tjera do të ndihmohen bizneset në aspektin e dokumentacionit që të fitojnë kapital përmes mekanizimit në tregut primar. IPO nënkupton se përmes ofertës publike të aksioneve , kompanitë kalojnë nga forma e mbyllur më formë të hapur të shoqatave aksionare. Me procedurën IPO faktikisht kryhet korporativizimi i kapitalit të firmës, që pasqyrohet përmes numrit dhe vlerës së aksioneve. (koha.mk)