Nga viti në vit rritej numri i tregtarëve në viset e tjera të vendit të cilët tregun dibran e furnizonin me prodhime të ndryshme. Sot, disa dekada pas, prezenca e prodhimeve bujqësore nga Dibra dhe rajoni në tregun e gjelbër është minimale
Vjollca SADIKU
Dibër, 15 shtator – Pas mbulimit të Fushës së Udovës nga ndërtimi i akumulacionit të Liqenit të Dibrës dhe pas boshatisjes të popullatës nga fshatrat kufitare, dibranët gradualisht humbën mundësin që në tryezat e tyre të kenë produktet bujqësore që kultivohen në tokat e Dibrës. Nga viti në vit rritej numri i tregtarëve në viset e tjera të vendit të cilët tregun dibran e furnizonin me prodhime të ndryshme. Sot, disa dekada pas, prezenca e prodhimeve bujqësore nga Dibra dhe rajoni në tregun e gjelbër është minimale.
Në tregun e rij të qytetit këto ditë bujqit e pakët dibran që kanë troje në fshatrat kufitare por që jetojnë në Dibër plasojnë prodhime të pakta kryesisht me shalqi, qepë, domate, speca, etj. Por, njohësit e mirë të tregut të gjelbër thonë se as 10 për qind nuk janë prodhimet e tyre në krahasim me prodhimet e tjera bujqësore që plasojnë bujqit dhe tregtarët nga Tetova, Shkupi, Gostivari, Ohri, Strumica, Gjevgjelia, etj. Të shtunave në Dibër kur është edhe dita e tregut është për plot me prodhime bujqësore. Konsumatorët dibran së pari i vizitojnë dhe blejnë produkte bujqësore nga familjet bujqësore dibrane. Disa familje që merren me bujqësi dhe që produktet e tyre i plasojnë në treg thonë se ata e kanë shumë lehtë të shesin prodhimet e tyre në krahasim me pjesëmarrësit e tjerë në treg. Shpeshherë edhe pse ka çmime më të larta, konsumatorët dibran preferojnë prodhime bujqësore që janë kultivuar në afërsi të fshatrave Sollokiç, Spas, Kunjarë, Shullan. Janë këta fshatra kufitare të Dibrës të cilët kanë një tokë shumë pjellore, por që fshatarët për shkak të situatave politike por edhe për shkak të problemeve ekonomike migruan një pjesë në qytetin e Dibrës kurse një pjesë tjetër jashtë vendit.
Të paktë janë familjet të cilët i punojnë tokat pjellore në këtë pjesë të komunës Dibër, por prodhimet që kultivohen kanë një kualitet bio meqë toka vaditet me burime autoktone. Sipas bujqëve atje kultivohet kryesisht shalqiri dhe në një pjesë shumë të vogël edhe prodhime kopshtarie. Shpeshherë ndodh që qytetarët dibran këta prodhime t’i blejnë edhe atje ku ata prodhohen, meqë kualiteti i tyre është shumë më i mirë se sa prodhimet e tjera bujqësore që plasohen në tregun e gjelbër të Dibrës ditëve të shtuna nga rajoni i vendeve të tjera. Duke marrë parasysh faktin se edhe prodhuesit bujqësor autokton mbjellin sipërfaqe të kufizuara me prodhime bujqësore, ata janë të detyruar të punojnë edhe punë të tjera për të mbijetuar si të tjerët.
Kur jemi tek prodhimtaria vendore në sferën e bujqësisë duhet të theksohet se tregun dibran e dëmtoi edhe fusha e thatë e cila tani më afro 20 vite nuk ujitet për shkak të mos funksionimit të sistemit për vaditje. Para afër 20 viteve në fushën e Dibrës edhe pse në sipërfaqe bujqësore jo të mëdha prodhoheshin sidomos prodhimet kopshtore, thatësira që kaploi këtë fushë pamundësoi edhe prodhimet në fjalë. (koha.mk)