Zejnulla VESELI
Shkup, 6 mars – Sektori i shërbimeve mbetet më i lehtë për t’u punësuar dhe për të siguruar një pagë mesatare në muaj, shkruan gazeta KOHA. Degët si tregtia me pakicë me produkte ushqimore, këpucë, tekstil e kështu me radhë, objektet e ushqimit të shpejtë, transporti, ndërtimtaria, riparimi i sendeve të ndryshme, zanateve etj në Maqedoni, por edhe rajon janë fokusi kryesor i sipërmarrësve që dëshirojnë të hapin një biznes të ri. Ekonomistët thonë se orientimi për të zhvilluar biznesin edhe në veprimtaritë për të cilat konsiderohet se mungojnë në treg, përskaj orientimit që të shohin tërë botën si treg të prodhimeve apo shërbimeve, duhet të jetë synimi kryesor i sipërmarrësve të rinj. Faktor tjetër që nuk duhet të anashkalohet, është analiza e tregut që ndoshta është më komplekse për t’u kryer, por mbetet një moment shumë i rëndësishëm, për shkak se pa konsumatorët është e pamundur të diskutohet për qëndrueshmëri të biznesit. Sipas profesorit universitar, Neritan Turkeshi, hapja e një biznesi të ri çdo herë varet nga mundësitë si materiale, si dhe nga posedimi i shkathtësive të ndryshme profesionale që mund të ofrohen në treg. Për shembull, nëse dikush ka talent për punë me dorë, natyrisht se do të orientohet që të merr një zanat të caktuar që nesër asnjëherë nuk do ta lë pa bukë, shton më tej Turkeshi.
“Në kushtet e Maqedonisë, por edhe të rajonit ku mungon kapitali më i madh për investim, pjesa dërmuese e njerëzve orientohen që të hapin një biznes të vogël, ku më shpejt qarkullohen të hollat për t’u vetëpunësuar qoftë shitore të veprimtarive të ndryshme jo vetëm ushqimore,por edhe tekstil apo ndonjë objekt të ushqimit të shpejtë, me qëllim që kur të paguajnë shpenzimet e ndryshme së paku t’u mbesin një mesatare që të kalojnë muajin”, potencon për KOHA, Turkeshi.
Sipas tij, është me rëndësi të theksohet se të rinjtë nuk duhet vetëm mëhallën e tyre, gjegjësisht Maqedoninë ta shikojnë si treg potencial, por duhet të jenë mendje hapur apo “open mind” dhe të mendojnë në drejtim se e tërë bota është treg për shërbimet apo prodhimet e tyre. Jetojmë në një botë të globalizuar, me zhvillim të hatashëm të teknologjisë informatike dhe nuk duhet të kufizojmë horizontet tona të veprimit dhe angazhimit vetëm në nivel lokal, shton më tej Turkeshi. Sipas tij, globalizimi, por edhe roli në rritje i njohurive dhe kapitalit intelektual, zvogëlojnë shpenzimet e punës dhe koston e kapitalit dhe rrisin mobilitetin e fuqisë punëtore.
Ndryshe, ekonomistët thonë se gjatë hapjes së biznesit të ri, njëvëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet aktiviteteve përgatitore për hapjen e tij, siç janë hulumtimi i tregut, çështja se kujt i dedikohet shërbimi apo prodhimi i ri si dhe përgatitja e një biznes plani që lehtëson nesër mbarëvajtjen e punës. Hulumtimet tregojnë se pa përgatitje të mirë, vështirë është të realizohet biznes i suksesshëm. Aktivitetet përgatitore për hapjen e biznesit të ri, paraqesin bazën kryesore të biznesit të ardhshëm ku një rëndësi të veçantë, ka kreativiteti dhe sjellja e inovacionit në treg, duke marrë parasysh produktet që mungojnë në të. Vlerësohet se shkaqet kryesore për fillimin e aktivitetit sipërmarrës janë mundësia për punësim dhe vendosje të pavarur, mundësia për të fituar më shumë të holla, orari fleksibil i punës, mundësia për punë të pavarur, mundësia për dëshmim të vetvetes, si dhe dëshira të jesh sipërmarrës. Ndryshe, frika nga ndërmarrja e rrezikut dhe mungesa e financave janë shkaqet kryesore që të rinjtë në Maqedoni më rëndë vendosin të hapin biznesin e tyre. Dobësitë dhe rreziqet kryesore të sipërmarrjes rinore janë hendeku i madh midis sektorit të biznesit dhe atij të arsimit, sistemi gjyqësor joefikas, qasja e dobët ndaj financave, apatia e përgjithshme te të rinjtë për gjendjen në shtet, ikja e të rinjve në tregun e punës jashtë shtetit, mosbesimi ndaj sistemit, korrupsioni dhe administrata akoma e ngadalshme. Sipas hulumtimit “Sfidat dhe nevojat e sipërmarrësve të rinj në Maqedoni” , të përgatitur nga Rrjeti për përkrahje e sipërmarrësve të rinj, me pjesëmarrjen e më shumë organizatave të tjera, në shtet nuk mungojnë masa pozitive dhe reforma për përkrahjen e sipërmarrjes dhe zhvillimin e sektorit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, por megjithatë nevojitet të ndërmerren edhe më shumë hapa të tjera në shtytjen më të madhe të rinjve që të merren me sipërmarrësi.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.