Fisnik PASHOLLI
Shkup, 26 prill – Tregtia, bujqësia, industria përpunuese dhe puna në administratë, janë sektorët kryesore që mbajnë amvisëritë në Maqedoni dhe Shqipëri. Në të dyja shtetet këto sektorë angazhojnë pjesën dërmuese të fuqisë punëtore, shkruan gazeta KOHA. Sipas të dhënave të Entit të statistikës së Maqedonisë, industria përpunuese angazhon 137 mijë punëtorë, bujqësia punëson 120 mijë punëtorë, tregtia ka të angazhuar 104 mijë punëtorë, ndërsa në ndërtimtari janë të punësuar 41 mijë punëtorë. Këto katër sektorë kryesorë së bashku me rreth 125 mijë të punësuar në administratë, arsim dhe shëndetësi, respektivisht sektorin publik, dominojnë punësimet në Maqedoni. Dallimi ndërmjet dy shteteve është se, sipas anketës së fuqisë punëtore në të dyja vendet, tregohet se në Shqipëri janë të angazhuar 463 mijë punëtorë në sektorin e bujqësisë, që është për gati katër herë më shumë se në Maqedoni, ku janë të angazhuar afër 130 mijë të punësuar në bujqësi. Nga ana tjetër, të dhënat e INSTAT – Institutit Shqiptar të Statistikave, tregojnë se në Shqipëri vetëm në industrinë përpunuese janë të punësuar 110 mijë punëtorë, në ndërtimtari janë të punësuar 38 mijë persona, në tregti janë të punësuar afër 120 mijë punëtorë, ndërsa në akomodim dhe shërbime ushqimore janë të angazhuar 35.600 të punësuar. Në Shqipëri, në sektorin shtetëror janë të punësuar 165 mijë, në sektorin privat janë të punësuar 422 mijë dhe në sektorin bujqësor janë të punësuar 463 mijë punëtorë. Ngjashëm me të gjitha shtetet e Ballkanit perëndimor, të dyja shtetet kanë problem strukturore në ekonomi, siç janë rritja e ulët ekonomike, ekonomia e lartë informale, vartësia e lartë prej importi, borxh i lartë publik me tendencë të rritjes së mëtejshme, papunësi e madhe e të rinjve, si dhe problemi me strukturën e pavolitshme të eksportit, ku dominojnë gjysmë-prodhimet apo lëndët e para, në vend të eksportit të prodhimeve të përpunuara dhe të sofistikuara.
Analizat e Institutit ekonomik të Vjenës, përcjell KOHA, tregojnë se në të gjitha shtetet e rajonit, sfidat e tregut të punës janë strukturore dhe se rritja aktuale ekonomike nuk do të jetë e mjaftueshme për të krijuar numrin e mjaftueshëm dhe llojet e vendeve të punës të nevojshme në tregun e punës. “Tranzicioni, apo kalimi në ekonomitë moderne të tregut në shtetet e Ballkanit perëndimor akoma nuk është i plotë dhe shumë çështje strukturore mbeten për t’u trajtuar. Shumica e vendeve kanë bërë përparime të mëdha drejt ambientit më të mirë për investime, por ekziston më shumë nevoja për të ndryshuar modelin e rritjes ekonomike në Ballkanin perëndimor, nga ai që mbështetet në konsumin e brendshëm ndaj atij që mbështetet në eksportet dhe investimet”, thuhet në analizën e fundit të Institutit vjenez. Analiza thekson se niveli i lartë i punësimit informal edhe jashtë sektorit të bujqësisë, tregon se nevojitet të zhbllokohet potenciali i segmenteve të caktuara në sektorët e tregut, që aktualisht nuk operojnë në sektorin formal. Kjo kërkon reforma tatimore për të nxitur një treg të ri të punës, që gjithashtu lejon punë fleksibile, me kohë të pjesshme të punës, por punë që do të mund të jenë më të arritshme për grupet më të ndjeshme, siç janë ato me nivelin më të ulët të arsimit, si dhe gratë që kërkojnë punë me kohë të pjesshme. Ndryshe, analizat e Bankës Botërore tregojnë se papunësia në rajon ka rënë, por mbetet ende e lartë, me shifrën 21 për qind të forcës së punës. Shkalla e papunësisë pasqyron numrin e njerëzve që dëshirojnë të punojnë dhe kanë kërkuar punë aktivisht, ndërsa inaktiviteti përfshinë një masë më të madhe njerëzish që janë ekonomikisht joaktiv për një sërë arsyesh. Dyzet për qind e popullsisë në moshë pune është joaktive-një ritëm ky shumë më i lartë krahasuar me vende të ngjashme në BE, ndërsa ky tregues është veçanërisht i lartë për gratë dhe njerëzit me arsim të ulët.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara