Shkup, 12 dhjetor – Deri në 44 për qind është rritur sasia e kredive që bankat kanë dhënë për kompanitë e ndërtimit në gjashtë vitet e fundit, shkruan gazeta KOHA. Statistikat e Bankës Popullore tregojnë se ndërtuesit në vitet e fundit janë në mesin e atyre që më së shumti kanë kërkuar dhe marrë kredi bankare për bizneset e tyre. Dukuria e ndërtimeve, e cila ishte e dukshme viteve të fundit në vend, sidomos kur është fjala për objektet për banim, ka rritur sasinë e parave të huazuara për aktivitetet e ndërtimit. Kështu, në shtator të këtij viti, totali i kredive që bankat i dhanë për sektorin e ndërtimit arriti gati në 450 milionë euro, ndërsa në fund të vitit 2010 kanë qenë 250 euro. Megjithatë, në këtë shumë më shumë jepen kredi bankare për tregtarët. Sipas të dhënave, përfundimisht me shtatorin, kompanitë tregtare u kanë borxhe bankave 1 miliard e 42 milionë euro. Shuma është për 30 për qind më e lartë se gjashtë vjet më parë, ose në fund të vitit 2010 kreditë tregtare arritën në 727 milionë euro. Shuma është tani më e lartë nga të gjitha kategoritë e tjera, e ndjekur nga shitësit dhe ndërtuesit, të cilët nga ana tjetër aktualisht kanë borxh në banka 450 milionë euro. Kompanitë që prodhojnë metale, makineri, vegla dhe pajisje kanë huazuar nga bankat 218 milionë euro. Në këtë kategori nuk ka rritje të ndjeshme në vitet e fundit, por shuma është dhjetë për qind më e lartë se në fund të vitit 2010, kur këto kompani bankave u kanë patur borxh 195 milionë euro. Por, nga ana tjetër, ka sektorë ku në vend të rritjes kreditimi ka rënie. I tillë është rasti edhe në sektorin e ushqimit, ku shuma e kredive të lëshuara është zvogëluar për 2.5 për qind. Me pak fjalë, në qoftë se kompanitë ushqimore në vitin 2010 kishin borxh 204 milionë euro, tano ato u kanë borxh bankave 199 milionë euro. Bankierët thonë se shifrat pasqyrojnë tendencat e biznesit në vend dhe orientimin e biznesmenëve. Rritja e vlerës së kredive të lëshuara për ndërtim është për shkak të rritjes së këtij sektori, i cili në periudhën e fundit konsiderohet si një motor i rritjes ekonomike. Pjesa më e madhe e kredive për kompanitë e ndërtimit u jepen kompanive që ndërtojnë hapësira banimi për familje dhe biznese, madje edhe projektet kapitale të qeverisë, të cilat më vonë financohen nga shteti. Përndryshe, nëse analizohet sasia totale e kredive që janë lëshuar për të ashtuquajturat kompanitë jo-financiare, të cilat përfshijnë kredi për kompanitë për gjashtë vjet dhe kjo është rritur për 34 për qind. Ose sipas Bankës qendrore, në fund të shtatorit kompanitë e bankave kanë borxhe prej 3 miliardë e 96 milionë euro. Në fund të vitit 2010 shuma ishte 2.3 miliardë euro. Kreditë bujqësore u rritën për 15 për qind në gjashtë vjet nga 70 milionë euro në 81.5 milionë euro. Në të njëjtën periudhë, kreditë e destinuara për kompanitë që merren me furnizimin e energjisë elektrike dhe të gazit u rritën për 17 për qind, ose prej 117 deri në 143 milionë euro.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.