Shkup, 18 janar – Tregtarët e Bit Pazarit i kanë vënë drynin tezgave dhe kanë dalë në protestë, disa para parlamentit ndërsa të tjerët para Bit Pazarit ku kanë bllokuar bulevardin. Ata kanë kërkuar nga deputetët që kanë votuar Ligjin për tregjet e gjelbra tërësisht ta tërheqin. Për tregtarët që sot kanë dalë në protestë thonë se pazari është ekzistenca e tyre e vetme por kanë potencuar se me obligimin që u është ngarkuar, në mënyrë shtesë do të sillen buzë ekzistencës. Ata thonë se nuk planifikojnë të nxjerrin licenca dhe thonë se nëse nuk do të tërhiqet ligji, do të radikalizojnë protestat, transmeton koha.mk.
Oda e tregtarëve paraprakisht ka deklaruar se ligji është i mirë, dhe se duhet të zbatohet sepse është sjellë me miratimin e tyre. Megjithatë dhënia e licencave zbatohet dobët, gjegjësisht prej 1 janarit deri tani janë dhënë rreth 50 licenca. Ligji obligon që secili qiramarrës për tezgë të paguajë licencë vjetore prej 60 euro, ndërsa për tezgë shtesë plus 40 euro. Në treg nuk guxojnë të shesin pensionistët, të punësuarit dhe ata që marrin honorarë.
Sipas vlerësimeve të Odës, në Maqedoni ka 15.000 tezga. Një pjesë e tyre janë të zbrazëta, ndërsa disa tregtarë mbajnë edhe më shumë tezga, por nuk ka statistikë precize se sa tregtarë duhet të licencohen. (koha.mk)