Shkup, 17 prill – Qeveria në seancën e djeshme, miratoi dy dekrete me fuqi ligjore me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, dhe i referohen punës së tregtarëve dhe koncesionerëve të lëndëve të para minerale.
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, në konferencën e sotme për shtyp informoi se është miratuar një dekret për zbatimin e Ligjit për tregti, me të cilën vendoset rend dhe disiplinë gjatë hyrjes në objekte ku kryhet tregtia me pakicë, dyqane, supermarkete, markete, furra buke… gjatë gjendjes së jashtëzakonshme.
“Që nga sot, të gjithë tregtarët janë të detyruar të sigurojnë një roje sigurie në hyrje të objekt për të ruajtur distancën minimale të kërkuar midis personave përpara dhe në objekt dhe të sigurojnë dezinfektim dore kur hyjnë në objekt. Tregtari është i detyruar të vendosë shenjat e duhura që tregojnë drejtimin e lëvizjes dhe respektimin e distancës minimale të kërkuar prej dy metrave, gjatë pritjes në rresht para dhe brenda në objekt edhe atë përpara çdo arke të pagesës dhe para hyrjes në objekt”, sqaroi ministri Bekteshi.
Nëse nuk respektohen këto dispozita, njoftoi ai, do të ketë gjobitje edhe atë për tregtarët e vegjël dhe mikro, gjobë nga 500 deri në 1.000 euro, ndërsa për tregtarët e mesëm dhe të mëdhenj, të cilët nuk do të respektojnë dispozitat e këtij dekreti me fuqi ligjore, gjobë nga 1.000 deri në 2.000 euro.
Përmendi se Inspektorati Shtetëror i Tregut do të kryejë mbikëqyrje të intensifikuar inspektimi.
I pyetur nga gazetarët, Bekteshi tha se nuk është e vonuar masa për shërbime të rreshtit, t’i rregullojnë turmat në tregjet e hapura, marketet, etj. Sipas tij, disa tregtarë kanë filluar tashmë zbatimin e udhëzimeve të dhëna nga Ministria e Shëndetësisë.
“Masa nuk është e vonuar, duke pasur parasysh që ne kemi zhvilluar tashmë disa takime me tregtarët me pakicë dhe të mëdhenj. Konform njohurive të mia, ata tashmë kanë filluar të zbatojnë atë që u është dhënë atyre si drejtim dhe si përfundim nga Ministria e Shëndetësisë në lidhje me shërbimet në distancë dhe rresht. Sidoqoftë, duke pasur parasysh se pritet edhe piku i përhapjes së virusit, kemi menduar që duhet të miratojmë një Dekret me fuqi juridike ku duhet të ketë kontrolle nga Inspektorati i Shtetëror i Tregut për tregtarët e vegjël dhe të mëdhenj, bankat, postat dhe të gjithë ata që ofrojnë shërbime. Por, në të njëjtën kohë, t’u mundësojmë qytetarëve të denoncojnë dhe të veprohet menjëherë në mënyrë që të respektohen dispozitat e këtij vendimi ligjor”, tha Bekteshi.
Ministri Bekteshi informoi se është miratuar një dekret me forcë ligjore edhe për zbatimin e Ligjit për lëndë të para minerale ndërsa është propozuar me qëllim që t’u dilet në vigjilje koncesionerëve të lëndëve të para minerale për të qenë në gjendje të punojë pa probleme gjatë gjendjes së jashtëzakonshme.
Me këtë dekret, theksoi Bekteshi, afatet për procedurat për koncesione nuk vijojnë gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së jashtëzakonshme dhe vazhdojnë pas skadimit të gjendjes së jashtëzakonshme, por vetëm për aq ditë sa kanë mbetur edhe atë nga dita e skadimit të gjendjes së jashtëzakonshme. Qëllimi është, nënvizoi ai, krijimi i kushteve për vazhdimin e pandërprerë të punës pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, pa pasur koncesionerët ndonjë implikim për koncesionet e dhëna për shkak të pamundësisë së përmbushjes së detyrimeve specifike sipas Ligjit për lëndë të para minerale.
Ministri Bekteshi vuri në dukje se ky dekret nuk parashikon shtyrjen e mbledhjes së tarifës së konpensimit koncesional, sepse i njëjti paguhet pas sasisë së shitur të shfrytëzuar të lëndës së parë minerale, ndërsa nga ana tjetër detyrimi për mbledhjen e tarifës së kompensimit të koncesionit për përdorimin e hapësirës skadon më 31 dhjetor të këtij viti që nënkupton që tarifa për përdorimin e hapësirës për këtë vit skadon më 31 dhjetor të vitit 2020 dhe me këtë do të paguhet deri në fund të vitit.
Ministria e Ekonomisë, theksoi se në muajin e kaluar pasi u shpall gjendja e jashtëzakonshme për shkak të Kovid – 19, e monitoron me kujdes situatën dhe propozon në Qeveri dekrete me fuqi ligjore me qëllim të mbrojtjes së shëndetit dhe sigurisë së qytetarëve dhe lehtësim të kushteve të punës së kompanive.