Stankovski përmend arsyen se pse orizi është “i mjaftueshëm” në botë, ndërsa thotë se dhe kjo ka ardhur si rritje të prodhimit të orizit surrogat, i cili pa ndonjë problem mund të prodhohet nga shumë lëndë të para më të lira dhe më të kapshme.
Qefsere ABDYLI
Shkup, 22 dhjetor – Plehrat, produktet e falsifikuara dhe të trajtuara kimikisht gjithnjë e më shumë gjenden në tregjet e vendit, ndërsa konsumatorët janë pothuajse të pavetëdijshëm se çfarë konsumojnë për çdo ditë. Pyetja është se cilat janë gjasat që Maqedonia të shfrytëzojë prodhime të shëndetshme pa surrogat përbërës, pa konservanse dhe pa sasi të madhe të pesticideve.
Ljupçe Stankovski, kryetar i shoqatës “Agrofalanga”, thotë se tregjet janë të mbushura me produkte ushqimore artificiale, duke filluar që nga qumështi i freskët deri te pemët dhe lëngjet e frutave. Përveç dëmeve nga konsumimi i tyre, Stankovski vë në dukje humbjet që, për shkak të pranisë së këtyre produkteve në treg, vuan prodhimi i brendshëm i ushqimit. Fitojnë, thotë ai, vetëm prodhuesit dhe importuesit e këtyre lëndëve të para. “Në bletari, ne ballafaqohemi ende me problemin e glukozës në kavanoze. Përmbajtja në kavanoze nuk ka të bëjë me bletët ose bletarët. Është kryesisht glukoza e bërë nga misri dhe importohet për industrinë e ëmbëltoreve dhe industrinë e ëmbëlsirave”, shpjegon Stankovski. Ai përmendë gjithashtu arsyen se pse orizi është “i mjaftueshëm” në botë, ndërsa thotë se dhe kjo ka ardhur si rritje të prodhimit të orizit surrogat, i cili pa ndonjë problem mund të prodhohet nga shumë lëndë të para më të lira dhe më të kapshme.
“Korporatat e mëdha nuk duan të varen nga fermerët dhe gjithnjë e më shumë zëvendësues futen në prodhimet e tyre. Kështu është edhe me orizin, i cili tashmë po prodhohet artificialisht”, tha Stankovski. Sipas rregullores, e cila në Maqedoni është sjellë disa vite më parë, të gjithë tregtarët që shesin produkte me orgjinë shtazore dhe shesin produkte të ngjashme me proteina bimore, duhet të ndahen fizikisht në një raft të veçantë ose në një vitrinë. Kështu, kaçkavalli i qumështit ose sallamet e mishit duhet të ndahen nga produktet e ngjashme që përmbajnë proteina soje dhe perimesh. Në të njëjtën kohë, deklaratat duhet të shkruhen në mënyrë të qartë dhe në një vend të veçantë duhet të thuhet se është “produkt bimor”.
“Për të eliminuar mundësinë e mashtrimit të konsumatorëve, kur është fjala për shitjen e produkteve që përmbajnë yndyra ose vajra vegjetal, disa vite më parë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë urdhëroi operatorët e ushqimit të jenë të listuar në deklaratën e produktit. Këto produkte duhet të shiten ndaras nga qumështi në një tjetër raft të veçantë, të deklaruar si perime, dhe jo si produkte të qumështit”, thonë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Në ndërkohë, Organizata e Konsumatorëve të Maqedonisë thotë se ushqimi i falsifikuar është një temë e përjetshme dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve është thelbësorë kur diçka blihet.
“Është e vërtetë që kemi një Rregullore dhe shumica e tregtarëve e respektojnë atë. Por qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm për atë që blejnë, sepse çmimi është gjithmonë një pikë referimi për të paguar djathë, për shembull”, thonë nga OKM. (koha.mk)