Teatri i Tetovës në bashkëpunim me fakultetin e arteve të Universitetit të Tetovës sonte nga ora 19:00 do ta shfaqë premierën “Tregim nga kopshti zoologjik” me tekst të dramaturgut amerikan Eduard Olbi në regji të Gent Çajanit.
Shfaqja është në gjuhën shqipe dhe do të jepet në Qendrën për kulturë “Ilo Anteski-Smok”. Rolet i interpretojnë Rahim Ramadani, Berat Mahmuti dhe Granit Vela.
Tregimi zhvillohet në parkun e qytetit ku dy burra nga klasa të ndryshme takohen rastësisht. Derisa bisedojnë, ata ndajnë tregime dhe kuptojnë se sa të ndryshme u janë jetët.
“Vepra i shtron pyetjet: Sa jemi të paaftë për ta ndryshuar kontekstin ‘i huaj’ përballë jetës së ashpër që e jetojmë nga dita në ditë? Çka ndodh kur e humbin ndjenjën për jetë? Si mund të marrim liri pa e lënduar dikë”, kumtoi Teatri i Tetovës për premierën.