Urim HASIPI
Tetovë, 12 mars – Në këtë periudhë kohore, në Tetovë dhe rajonin e Tetovës janë regjistruar 16 zjarre në vende të hapura, të shkaktuara nga ndezja e barit të thatë, kashtës si dhe mbetjeve të ndryshme, edhe përkundër ndalesës dhe dënimeve të mëdha në para të parapara për kundërvajtësit e këtyre shkeljeve, shkruan gazeta KOHA.
“Parapërgatitjet për mbjelljet e pranverës kërkojnë edhe pastrimin e fushave nga mbetjet e barit të thatë dhe therat, të cilat bujqit si zakonisht i largojnë me anë të ndezjes së tyre. Nga njësia territoriale kundër zjarrit në Tetovë, apelojnë deri te bujqit për më shumë kujdes si dhe të përmbahen nga ndezja e barit të thatë dhe mbetjeve të ndryshme, me qëllim që të pengohet paraqitja e zjarreve me përmasa më të mëdha në hapësirë të ndryshme, të cilët shpesh rezultojnë me dëme më të mëdha material.
Ndryshe shuarja e zjarreve të shkaktuara nga ndezja e barit të thatë janë vetëm një pjesë e intervenimeve të zjarrfikësve të Tetovës. Sipas të dhënave të tyre, nga fillimi i këtij viti kanë pasur gjithsej 101 intervenime, që është trefish më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë kohore në vitin e kaluar”, thonë nga njësia e zjarrfikësve të Tetovës.
Në ndërkohë, lidhur me këtë ka reaguar edhe Policia e Tetovës. “Me përmirësimin e motit, në rajonin e Pollogut tanimë kanë filluar dhe ditët në vijim edhe më shumë do të intensifikohen aktivitetet e zakonshme përgatitore të bujqve. Ka filluar pastrimi i fushave nga kashta, bari i thatë dhe ferrat në funksion të mbjelljeve të ardhshme, pas çka dukshëm është rritur frekuentimi në rajon, sidomos në rrugët rajonale dhe lokale. Për këtë, Sektori për punë të brendshme në Tetovë, apelon deri te qytetarët që të jenë të kujdesshëm kur punojnë ose lëvizin. Kjo, para së gjithash, ju referohet atyre të cilët janë të angazhuar me punë në fushë, të cilëve u apelohet që të mos ndezin zjarre, për shkak se flakët shumë shpejtë dhe lehtë mund të përhapen, sidomos kur ka edhe erë. Sektori për punë të brendshme në Tetovë rikujton qytetarët se ndezja e qëllimshme e zjarreve në mal paraqet vepër penale, për të cilën është e paraparë dënim me burg nga 8 deri në 10 vjet varësisht pasojave përfundimtare”, theksojnë për KOHA nga Policia e Tetovës.
Përveç kësaj, bujqit këshillohen gjithashtu që me shumë kujdes të përdorin makineritë e tyre bujqësore, në kohë të kontrollojnë gjendjen teknike të makinerive të tyre dhe këto lloj makinerish t’i drejtojnë vetëm personat me leje adekuate për vozitje dhe jo minorenët. Për shkak se në të kundërtën, do të përballen me pasoja të parapara ligjore.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.