Fisnik PASHOLLI
Shkup, 5 mars – Në dhjetë vitet e fundit është trefishuar numri i të huajve që janë angazhuar në mënyrë profesionale me punë në Maqedoni, shkruan gazeta KOHA. Të dhënat e Agjencisë së Punësimit tregojnë se numri i shtetasve të huaj të pajisur me leje të rregullt punë në Maqedoni, është rritur prej në 918 në vitin 2007 në mbi 3000 leje pune në vitin e kaluar. Globalizimi i ekonomisë, investimet e huaj, rendja pas një vendi pune të paguar mirë jashtë kufijve të shtetit amë, qarkullimi i lirshëm i kapitalit dhe i fuqisë punëtore, por edhe fakti se ekonomia vendore është e hapur dhe e integruar në rrjedhat ekonomike rajonale, evropiane dhe më gjerë, ka shkaktuar edhe rritjen e fuqisë punëtore të huaj te ne.
Privatizimi i bankave vendore nga ana e investitorëve të huaj, hyrja e kapitalit të huaj në sektorët e telekomunikacionit, të ushqimit, prodhimit të birrës, tekstilit, energjetikës, duhanit, sektorin e xeheve dhe metalurgjisë, dhënies me koncesion të aeroporteve, sigurimeve dhe bizneseve të tjera, hapja e shkollave fillore, të mesme si dhe fakulteteve të ndryshme, ku është angazhuar edhe personel mësimor nga jashtë, nisja me punë e dhjetëra fabrikave nga ana e investitorëve të huaj, kanë trefishuar numrin e të huajve që vijnë për “kurbet” në Maqedoni. Gjithashtu, edhe hapja e bizneseve të tjera si në teknologjinë informatike, të pjekjes së bukës, sektorit të ndërtimit, hotelerisë si dhe angazhimi i specialistëve të mjekësisë nga jashtë Maqedonisë në spitalet private, ka rritur dukshëm numrin e profesionistëve të huaj që punojnë në Maqedoni. Gjithashtu, edhe punët ndërtimore në akset rrugore Kërçovë-Ohër si dhe Shkup-Shtip, kanë angazhuar një pjesë të fuqisë së huaj punëtore në Maqedoni .Në rritjen e madhe e të huajve që kanë gjetur angazhimin profesional në Maqedoni, kanë ndikuar edhe investimet e mëdha në sportin vendor, duke filluar nga Klubi i futbollit të “Shkëndisë” që pas trajnerëve nga Shqipëria, si Shpëtim Duro, Ardian Kozniku nga Kosova, Bruno Akrapoviq nga Bosnje e Hercegovina, ka angazhuar trajnerin gjerman, Tomas Bërdariq si dhe disa lojtarë të huaj, ndër të cilët edhe sulmuesin Dino Megjedoviq. Gjithashtu, edhe klubi i futbollit i “Vardarit” si dhe disa klubeve të tjera kanë përforcuar radhët e tyre si me trajnerë ashtu edhe me lojtarë nga jashtë. Në Klubin e hendbollit për meshkujt të Vardarit luajnë 15 hendbollistë të huaj dhe punojnë katër trajnerë të huaj. Klubi i femrave i “Vardarit” në hendboll ka të angazhuar 16 lojtare të huaja. Edhe në Klubin e hendbollit për meshkuj të “Metalurgut”, një pjesë e madhe e lojtarëve janë nga jashtë. Të huaj janë edhe trajnerët Lino Çervar në “Metalurg” dhe Raul Gonzalez në “Vardar”, së bashku me disa ndihmës trajnerë. Lojtarë të huaj janë të shumtë edhe Ligën e parë të Maqedonisë në basketboll.
Në vitin 2016 më shumë punëtorë të huaj ka pasur nga Turqia si dhe nga Serbia, Greqia Bullgaria dhe Shqipëria, që kanë më shumë të angazhuar në Shkup. Dominimi i lejeve të punës për shtetasit turk shpjegohet me bumin investues turk në Ramstor në Shkup, sektorin bankar në Halk Bank, kompaninë “TAV” , hapjen e më shumë spitaleve, në kompaninë Xhevahir Holding dhe në investimet në arsimin fillor dhe të mesëm. Përgatitja e tyre profesionale pak dallon në dhjetë vitet e fundit, pasi ka shtetas të huaj që punojnë të pajisur me diploma universitare apo me magjistratura, por edhe punëtorë të thjeshtë. Sipas të dhënave të Agjencisë për punësim në vitin e kaluar deri te ky dikaster janë parashtruar 2074 kërkesa për miratimin e leje së punës dhe 1487 kërkesa për dhënie mendim deri te Ministria e Brendshme për lëshimin e lejes për qëndrim të përkohshëm për të huaj në baza të ndryshme. Janë miratuar 849 leje për punësim, 823 leje personale pune, 218 leje pune dhe 1461 mendime deri te MPB. Sipas profesioneve janë lëshuar leje pune, për menaxhues dhe drejtorë të kompanive, profesorë, sportistë profesionist, punëtorë në prodhimtari etj. Më shumë leje për shtetasit e huaj janë miratuar për persona me arsim të mesëm – 1542, ndërsa 421 persona kanë qenë pa arsim të mesëm të përfunduar. Me doktoratura kanë qenë 16 persona, me magjistratura 67 persona dhe me specializime përkatëse kanë qenë 32 persona.
Kryesojnë punëtorët nga Turqia
Më së shumti leje janë dhënë për personat që vijnë nga Turqia- 850, Serbia- 387, Greqia-362, Bullgaria -205, Shqipëria-185, Kosovë- 184 etj. Sipas qyteteve, më shumë leje pune për të huaj janë lëshuar në Shkup- 2864, Gjevgjeli- 111, Tetovë-81, Gostivar- 34 etj. Në qytetet e tjera janë lëshuar 482 leje pune për të huajt. Sipas të dhënave të Agjencisë së punësimit shtetasit e huaj në Maqedoni kanë të përfunduar arsimin e lartë dhe mbajnë pozita të larta udhëheqëse në kompanitë investuese, por midis tyre mund të gjenden edhe punëtorë me kualifikime më të dobëta. Shpesh edhe firmat më të mëdha të huaja që punojnë në Maqedoni, që sjellin gati tërë menaxhmentin e tyre nga jashtë, ku pasi bëhet fjalë për profesionistë, edhe nuk bëhen probleme për të fituar lejet e punës. Gjithashtu edhe thjeshtësimi i procedurës përmes dokumentacionit të zvogëluar që punëdhënësit duhet ta parashtrojë në institucionet përkatëse dhe lehtësimet e caktuara gjatë ç’lajmërimit të punëtorëve, së bashku me kapitalin e investuar në Maqedoni nga shtetet e huaja, kanë ndikuar në rritjen e madhe të punëtorëve të huaj në Maqedoni.
Vazhdimisht rritet numri i lejeve
Trefishimin e lejeve të punës për të huajt e tregojnë të dhënat e Agjencisë së punësimit, sipas të cilave, në periudhën janar –shtator 2007, janë lëshuar gjithsej 918 leje punë për shtetasit e huaj në raport me mbi 3000 leje pune në vitin 2016. Prej tyre, 434 kanë qenë për vazhdimin e marrëdhënies së punës dhe 484 kanë qenë të lëshuara për herë të parë. Në bazë të martesës janë lëshuar 135 leje, në bazë të vizës për punë janë lëshuar 346 leje dhe në bazë të arsyetimeve të tjera janë lëshuar 437 leje. Sipas profesioneve, më shumë leje janë miratuar për shtetasit e huaj që kanë punuar si drejtorë, 268 dhe si menaxhues – 23. Sipas shkallës së përgatitjes profesionale, janë lëshuar 76 leje për punëtorë jo të kualifikuar dhe gjysmë të kualifikuar, 6 me kualifikim të lartë, 322 me arsim të mesëm profesional, 471 me fakultet, 6 me magjistraturë dhe 21 të tjerë. Sipas shteteve nga vijnë shtetasit e huaj, më së shumti leje pune janë miratuar për Serbinë – 214, Turqinë – 134, Greqinë – 148, Bullgarinë – 62 dhe 360 persona të tjerë. Sipas qyteteve, më së shumti leje punë janë miratuar për shtetasit e huaj në Shkup- 214, Gjevgjeli – 86, Manastir – 34, Tetovë – 31 etj.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.