Sot mbushen tre vjet nga konflikti i armatosur në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, i cili zgjati dy ditë, ku jetën e kanë humbur tetë pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, rreth dyzet prej tyre u lënduan rëndë dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur mbetën të vrarë. Ngjarja ndodhi më 9 maj të vitit 2015, por tek pas pesë muajsh pati epilog të zgjeruar. U kapën edhe shtatë të dyshuar të tjerë për ndihmë logjistike të grupit që ishin kryesisht nga fshatrat e rajonit të Kumanovës dhe ishin në moshe prej 24 deri në 75 vjeç. Për ngjarjet në “Lagjen e Trimave” nga shkurti i vitit 2016 në Gjykatën penale u zhvilluar seancë gjyqësore kundër 29 personave të cilët akuzohen për vepra të bëra penale “Organizatë terroriste” dhe “Terrorizëm”. Të gjithë 29 të akuzuarit për ngjarjet në Kumanovë para Gjykatës u deklaruan se nuk ndihen fajtorë. Rasti më vonë u bashkua me rastin “Vetëtima”, në të cilin u zhvillua procedurë kundër tetë personave ndihmës të grupit të armatosur nga “Lagjja e trimave”, me çka numri i të akuzuarve është rritur në gjithsej 37. Procesi gjyqësor për të akuzuarit në këtë rast akoma zgjat.
Prokurori Publike e Republikës së Maqedonisë ka ngritur procedurë për të arrestuarit në aksionin në Kumanovë pasi MPB-ja parashtroi kallëzim penal deri tek Prokurori Themelore Publike, për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit kundër një numri personash për “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”. Nga 37 të akuzuar për “terrorizëm” dhe “organizata terroriste”, 33 persona u dënuan për veprat, ndërsa për katër persona është sjellë vendim për lirim. Gjykata Penale në nëntor të vitit 2017 me burg të përjetshëm i dënoi Andi Krasniqi-Malisheva, Demë Shehu, Fadil Fejzullahu, Nasuf Bekiri, Valdet Zekaj, Beg Bajra dhe Fejzulla Rushitovski. Me 40 vite burg u dënuan, Komandant Sokoli, Esat Kafexholli, Ardian Bujari, Shefqet Hallaçi, Betim Kabashi, Genci Sefaj, Enver Hoxha Klein, Rufki Dogani, Bajram Elshani, Nexhmedin Lika, Lirim Krasniqi, Sevdail Miftari, Fatmir Reçica.
Me 20 vjet burg janë dënuar Kenan Isni, Fadil Elshani, Lirim Demiri, Hajrush Abdia, Landrit Rrustemaj, Mirsad Qerimi. Musadik Pajaziti dhe Ebip Aliji janë dënuar me nga 12 vite burg. Arsim Bajrami dhe Elham Arifi nga 13 vite. 14 vite iu shqiptuan Seadudin Abdullait ndërsa 18 vite Ragmi Latifit. Prej të dënuarve, 19 janë shtetas kosovarë ndërsa të tjerët nga Maqedonia. Vetëm katër persona të akuzuar për logjistikë nga Maqedonia janë liruar tërësisht nga akuzat. Vlerësimi i aktakuzës u bë në fund të vitit 2015 kur për herë të parë, grupi prej 37 të akuzuarve u mblodh në sallën e vogël të Gjykatës Penale. Shqyrtimi kryesor filloi më 10 shkurt të vitit 2016. Seancat e para gjyqësore ishin thuajse të heshtura, por në fjalët hyrëse që kishin mundësi t’i japin të arrestuarit, u denoncua likuidimi i Beg Rizajt dhe Mirsad Ndrecajt, por edhe disa pjesëtarëve të grupit, pas arrestimit.
Naser Raufi, i cili është njëri prej avokatëve të të akuzuarve, pas shqiptimit të aktvendimeve, tha se ky është një skenar i shërbimeve sekrete dhe se nuk ka pritur të akuzuarit të marrin dënime aq të larta. Ai mendon se bëhet fjalë për lëndë të montuar dhe kërkoi hetim të pavarur. Qeveria në nëntor të vitit të kaluar pranoi të hapet hetim ndërkombëtar për Lagjen e Trimave”. Kryeministri Zoran Zaev deklaroi se është informuar bashkësia ndërkombëtare dhe se kërkohen mënyra për zbatimin e hetimit ndërkombëtar për rrethanat e paqarta lidhur me ngjarjet në Kumanovë. Më 9 dhe 10 maj të vitit 2015 në Lagjen e Trimave, një grup i armatosur u përlesh me forcat e sigurisë.